(Me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së arkitektit të njohur botëror Le Corbusier -Sharl Eduard Zhanere )
“Avangardë janë ata të cilët arkitektin
e detyrojnë që gjithnjë të ndërtojë me
materiale dhe me teknikën më bashkëkohore”
Nga Ylber Vokshi*
Është vështirë që në një vështrim të tillë të përshkruhet portreti i Korbizieut (Le Courbusier) pa dyshim njërit prej vizionarëve më madhështorë në botën e arkitekturës bashkëkohore.
Duke analizuar jetën e tij,vetvetiu parashtrohet pyetja:si të gjurmohen ato rrugët e çuditshme dhe të fshehta,nëpër të cilat kaluan idetë e tij,duke formuluar shikime të reja,jo vetëm në arkitekturë,por edhe në të gjitha fushat e jetës njerëzore.
Lindi në tetor të vitit 1887,në qytetin zvicëran La Sho De Fon (La Chaux-de Fonos).Emri i vërtet i tij ishte Sharl Eduard Zhanere. Teknikën e vizatimit,si dhe mjeshtërinë e dekorimeve,i përvetësoi në shkollën e artit në vendlindje. Kjo ishte krejt çka mësoi në institucionet shkollore. Njëra prej mënyrave e studimeve të tij,ishin udhëtimet,që i bëri nëpër qendrat e njohura kulturore në Europë,në Lindjen e Afërme dhe në Afrikën Veriore,ku njoftohet me veprat arkitektonike të epokave të kaluara.
Korbizie ishte autodidakt,një kohë të shkurtër punoi në atelienë e Gustav Peretit,për të filluar rrugën e vet origjinale. Si Rafaelo edhe ky ka pasur në rini prirje artistike që pa humbur kohë ,vetëm në shikim të vërejë,të kuptoi,dhe të përvetësojë të mbërriturat e arkitektëve në objekte. Individualitetin dhe shkollimin nuk e fitoi pas mureve të akademive. Mu këtu shihet gjenialiteti dhe virtuoziteti i tij.
Në vitin 1920 në Paris,në bashkëpunim me piktorin Ozenfant,boton revistën “L’esprit Nouveau”(“Frymëzimi i ri”) me anën e të cilës predikon idetë e tij arkitektonike dhe artistike. Tendencat e kësaj reviste,më së miri shihen në citatin ”Ka filluar një epokë e re,me frymëzime të reja,kjo është fryma e ndërtimit dhe e sintezës,e udhëhequr me koncepte të qarta”.
Në këtë periodë Korbizieu vizaton edhe pikturat e para, dhe themelon doktrinën estetike Purizmin, e cila me programin e vet i ka fascinuar të gjithë artistet përparimtar të asaj kohe. Korbizieu ishte piktor abstrakt,plasticitetin në pikturë e arrin duke përdorur me mjeshtri ngjyrat primare. Nën ndikimin e abstraksionit, ai përvetësoi mënyrën e re të paraqitjes së hapësirës,e cila me zgjedhjen e formave hapësinore plastike,paraqet “tonet kryesore hapësinore”.
Ai shpesh theksonte “s’ka mbetur asgjë nga arkitektura e epokave të kaluara,të cilat i ofron literatura shkollore,dhe nevojitet të mendohet dhe të veprohet në frymën e kohës në të cilën jetojmë”.
Në librin “Vers unë architecture” (“Drejt arkitekturës së vërtetë”),Korbizie paralajmëron arkitekturën e ardhmërisë,e cila mbështetet në konstruksionet dhe materialet e reja,dhe paraqet lidhshmërinë funksionale të formave të reja.
Bazat e arkitekturës bashkëkohore i formuloi në principet sipas të cilave realizoi disa objekte individuale. Ndër ma të njohurat është “Villa Savoy” në periferi të Parisit,e realizuar në vitin 1929. Këtu vërejmë bazën në formë të katërkëndëshit,konstruksioni është i formuluar në shtyllat e beton armës. Kjo njëherit mundëson zgjidhjen funksionale të dispozicionit (bazës).Në eksterier dominonin format kubistike,të cilat në ambient fitojnë plasticitet mahnitës në kompozicionin Hapësinor.
Njëra nga veprat më të rëndësishme të Korbizieut në lëmin e banimit individual,pa dyshim,është ndërtesa “L’unitet d’habitation”e realizuar në Marsej. Këtu ky realizon të gjitha parimet teorike mbi “banimin e përbashkët individual”.Me anën e polikromisë,arrin të theksojë strukturalitetin e materialit natyror,gjegjësisht strukturalitetin e beton – armesë. Përdhesa është në shtylla të modeluara në mënyrë origjinale. Në tërësi përmbajtja e këtij objekti e ngrit këtë objekt në nivel monumental.
Me 1946 merr pjesë në konsultime,për realizimin e pallatit të OKB në Nju –Jork. Është e vërtetë se realizimi i ndërtesës së OKB,nuk ndryshon aspak nga skicat e Korbizieut,çka vërteton së Korbzieu ishte ai,i cili e ka zgjidhur projektin. Duhet theksuar se kompleksi i OKB paraqet tërësi të harmonizuara në nivel të lartë për të cilën pa dyshim,mund të konkludojmë se është triumf i arkitekturës së Korbizieut.
Me projektimin e ca objekteve sakrale, Korbizieu,lidhur nga problemi i funksionalitetit,projekton forma të lira në beton-arme. Këto tendenca më së miti shihen në kishën”Notre-Dame Du-Haut”,në Ronshan. Plasticiteti i fituar me anën e formave të lira,fascinon në shikimin e parë. Në enterier-brendi loja e dritës dhe e ngjyrave-është arritur me anën e xhamit me ngjyra,të futur në masat e mureve. Kjo ndikon që në enterier të fitohet një dritë diskrete-mistike që fascinon vizitorët.
Paralelisht me punën teorike dhe praktike në lëmin e arkitekturës,Korbizie i rreket problemit delikat-rregullimit hapësinor të qyteteve. Në librin”L’Urbanisme”formulon principet kryesore të rregullimit bashkëkohor të qytetit. Caku kryesor është njeriu”Duhet t’i bëjmë të mundshme që jetën ta kaloi në lumturi” e këtë mund ta arrijmë nëse e realizojmë qytetin plot diell,ajër të pastër,dhe gjelbërim,-thotë ai dhe e ndërton qytetin me shikime dhe horizonte të largëta,me shtëpia për të gjithë,pa zhurmë,me shumë hapësira, për rekreacionin e fëmijëve dhe të rriturve. Ishte kundërshtar i ndotjes së ambientit të njeriut. Luftoi për ruajtjen e bukurive natyrore,të cilat na zbukurojnë dhe mundësojnë jetë të shëndosh dhe të lumtur.
Rasti për realizimin e ideve teorike iu ofrua në vitin 1950,kur e projektoi kryeqytetin e Penxhapit, Çandigarin. Këtu për herë të parë,përdor principin “Sept vois”(shtatë rrugët),i cili mundëson të zgjidhë problemin e komunikacionit në baza bashkëkohore. Qarkullimi është zgjidhur në detale,prej rrugëve interkontinentale gjer në stazat për këmbësorë. Tërë qyteti është i rrethuar me gjelbërime,dhe hapësira për rekreacion. Edhe zgjidhjet arkitektonike të këtij qyteti bazohen në principet e njohura. Posaçërisht dallohej qendra e qytetit,ku,përveç aktiviteteve politike,janë përfshirë edhe aktivitetet shoqërore.
Korbizieu ka arritur që me punën e vet të gjithanshme të jetë një prej figurave më markante në botën e artit. Ai ishte, me një fjalë,themelues i arkitekturës bashkëkohore. Emri i tij depërtoi në botën e kulturës,si për të mirë,ashtu edhe për të keq. Për të mirë në mendjen e njerëzve përparimtarë,për idetë e tij revolucionare. Kurse për, të keq sipas mendimeve konservatore,të shkollave dhe akademive artistike.
Figura e Korbizieut ishte komplete. Ai dominoi në të gjitha sferat e arkitekturës dhe të urbanizmit. Ai në detale i analizoi të gjitha fushat duke gjurmuar problemet e jetës bashkëkohore. Në frymën e problematikës arkitektonike,studion materialin nga shkencat përcjellëse si:teknikën,sociologjinë,ekonominë,filozofinë etj. Idetë e tija të guximshme,janë shkas që shumë e quajnë UTOPIST.
Ishte i vetëdijshëm se në rrugën e vet,do të ketë kundërshtar. Gjithnjë i mbronte me sukses tezat e veta,duke shpresuar që gjeneratat e reja do t’i përkrahin idetë e tij.
Ashtu edhe ngjau. Sot urbanizmi mbështetet në qytete me sisteme të hapura të ndërtimit,me plot diell,ajër dhe gjelbërime. Ndërtimet me teknologji bashkëkohore si dhe alet për këmbësorë,janë pjesë përbërëse e qyteteve bashkëkohore.
Ishte përkrahës i të gjitha ideve progresive,në të gjitha anët e botës. Idetë e tij i bashkuan përfaqësuesit e të gjitha racave dhe popujve. Rëndësia e Korbizieut është se arkitekturën dhe urbanizmin i ka liruar nga mendimet e kufizuara të arkitektëve akademik.
Ishte autodidakt,pa kurrfarë shkollimi akademik,krejtësisht i dhënë drejt asaj që quhet art,me forcë të jashtëzakonshme të gjurmuesit,ai vazhdimisht ndoqi rrugën që vet e kishte caktuar,duke mos përfillur ata të cilët, duke u fshehur pas titujve akademike,pa ide të definuara,mundoheshin t’i pengojnë tendencat e tij të reja,në arkitekturë dhe jetë.
Pas shumë kritikave,të cilat trimërisht i ktheu,në fund valët e detit Mesdhe për gjithmonë e shuan gjenialitetin dhe temperamentin e Korbizieut në moshën 78 –vjeçare.
*Autori eshte arkitekt