Quantcast
Channel: Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Mark Çuni, i pari hero i demokracisë europiane

$
0
0

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë… 1945 hapni dosjet: Mark Çuni asht themelues i organizatës së parë europjane antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në Shkoder.

 

Nga Fritz Radovani

Partia Demokristjane nuk mund të formohej në një shqipni me pikpamje komuniste dhe diktaturë staliniste. Ajo mbet vetëm një ide në historinë politike të popullit shqiptar.

■ DOSJET DO TË VERTETOJNË FAKTIN KUSH ISHTE MARK ÇUNI ?!..

Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.

Shpesh, bisedohej se “ka kenë formue” kjo parti në Shqipni.

Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Pjeter Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Jakë Gardini, Imz. Mikel Koliqi, etj., me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, “…se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni” por, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik Shqiptar, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike. Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivet sot kanë edhe detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943. Po të njajten gja verteton perpjekja e Berdicës, grupi i Ndue Palit në Dukagjin dhe Lidhjet e Dibres me Kosovën dhe Puken e Mirakajve…

■ Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin „Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me instruktorët e Titos per këtë parti fantazëm e çpikun dhe gjithmonë e pakenun, që hangri sa e sa koka njerëzish të pafajshëm. Viktimat e atyne “Partive” në 1945 ishin nga Veriu në Jug, ku perfshihej edhe Musine Kokalari nga Gjinokastra me Ndoc Çoben e Konferencës së Pezës…nga Shkodra.

■ I nderuemi z. Nino Kurti tregonte se në muejn maji të vitit 1945, kur kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë, aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi i Kurbinit, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor të vitit 1945, per të cilat perdoreshin epitetet “të lira, demokratike, me shumë parti…etj…”, nga Radio Shkodra dhe gazeta e Shkodres “Koha e Re” e drejtueme nga Arif Gjyli dhe Gjovalin Luka. Asht bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, që njihej në Perëndim, por së bashku nuk e kishin bisedue kurrë. Atëditë, i kujtohej mirë Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që e ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime për të gjithë nuk kishte të panjohuna, kuptohet pa hy ndër detaje, por debati ka fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht edhe a do të pranojnë ata me u drejtue nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë, e thanun ma kjartë, nga katolikët?

Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim?!

Këtë e ka marrë përsipër Paulin K. Pali e Mark Gjon Shllaku, me e bisedue me At Gjon Shllakun, i cili ishte i menduem per kete detyrë edhe nga Sejfullah Maleshova.

Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, që nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i përgatitun si intelektual e shumë besnik.

■ Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku, nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet me Provinçialin At Mati Prennushi, dhe as me Imzot Gasper Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, dhe pergjegja e Tyne e dhanun atij. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht lojë e komunistëve prandej “kleri nuk përzihet në çështje partishë politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.

■ Nino dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe shkollat fetare po mbyllen. Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin e shtetit (Ndjeken). Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë intelektual në këtë çështje mbasi si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. At Mati Prennushi me një letër porositë në mënyrë të preme të gjithë klerikët françeskanë që “mos të përzihen në politikë!”

Nino, shtonte, se nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin. Këte mendim Nino e kishte shpreh haptas e ishte kundershtue nga të dyshimtit.

■ Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do t’a drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin për formimin e Partisë Demokristjane.

■ Kjo ishte arësyeja që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohtë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga Atdhetari i flaktë Mark Çuni.

■ Nino e vertetonte këte edhe për faktin se ata përsona që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe, as që asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide mbasi mund të ridënoheshin edhe mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët. Nino Kurti e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj., janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi kryesore që na ka lidhë ne kemi pasë besën. Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Europë, po ku, me e gjetë sot një Andro Petroviq apo Mark Çunin, per me e drejtue këtë parti?”.

Mbas asaj bisedë per fatin e keq nuk u pashë ma me Ninon, mbasi Ai vdiq ndër ato ditë.

■ Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Gjon Shllakut në Rus, asht kenë i dërguem për Partinë Demokristjane nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë fare në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?

■ At Meshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike.

■ Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”

■ At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë ose ma shumë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristjane?”.

■ Vetëm më 13 nandor 1990, Don Simon Jubani, mbas Meshës së Parë më 11 nandor, ka ba një përpjekje zyrtare me formue Partinë Demokristjane, tue e ngarkue Prof. Nush Radovanin me këtë detyrë. Nushi me Tish Çefen e Ruzhdi Çoben pergatiten edhe një program që porsa e publikuen, Ramiz Alia u frigue nga ky veprim dhe në fillim të dhjetorit shpallë të formueme “Partinë Demokratike”. Kaluen ma shumë se gjasht muej me zvarrisje burokratike dhe demokristjania nuk aprovohej nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë. Kur Prof. Nushi takohet në vitin 1991 me demokristjanin Pikoli, në Ambasadën Italiane në Tiranë, Pikoli i thotë: “Na nuk merremi me ju, na do të përkrahim shumicën!”. Nushi mbyllë kapitullin tue u largue përfundimisht nga Shqipnia. Si të gjitha partitë tjera “me hije”…formohet edhe “demokristjanja” që asht sot.

■ Kjo dhe vetem kjo, asht arësyeja që u vuna me dijtë “dishka” për Organizatën e Parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” dhe kryesisht, per themeluesin e Saj të Nderuem

Mark Çunin (1920 – 1946), nga fshati Bushat i Shkodres, i pushkatuem në moshen ma të bukur 26 vjeçare. Mark Çuni formoi një organizatë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me të gjitha besimet, per me realizue zgjedhjet pluraliste në Shqipni, atëherë kur ende nuk diheshin “rezultatet e Konferences së Jaltës”, kur Enver Hoxha kerkonte me rrejtë e mashtrue në Shkoder, si gjithmonë me Sejfullah Maleshoven per “zgjedhje demokratike” dhe “Shqipni të Lirë e të Pavarun”, pikrisht atëherë kur, thundrat e Titos dhe të Stalinit kishin fillue me zhytë në gjak dhe terror mbarë Popullin Shqiptar.

Bota vazhdonte me u la në gjak, dhe bombet binin mbi kokat tona kur Trimi i Nderuem Mark Çuni, mendonte per Liri, Paqë dhe Demokraci Europjano Perëndimore…

■ Këte e verteton dhe z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”, fq. 443, ku nder tjera thotë:

“Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndermarrë një risk të tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona…Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”…

“Me krijimin e Kominformit, në shtator 1947, Andrei Zhdanov quajti “demokraci të reja” Jugosllavinë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë…”

***

■ Në këte 70 vjetor të Organizatës së Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” që asht themelue nga Heroi Mark Çuni, mendoj se Shqiptarët, janë para një detyrimi Atdhetar:

MARK ÇUNI duhet perjetsue me Monumente…

■ Monumenti i Mark Çunit, i Këtij Burri që i paraprinë Demokracisë Europjane duhet me kenë jo vetem në Tiranë, por edhe në Bruksel para Selisë së Europës së Bashkueme dhe, në Selinë e OKB në New York, mbasi asht i pari Demokrat i mirëfilltë që ka kerkue “Zgjedhje të Lira Demokratike e Pluraliste në Shqipni”, kur Bota nuk dinte kujt i thonë “Liri, Paqë e Barazi Demokratike”…

Melbourne, Tetor 2015.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Trending Articles