Përplasjet e pakënaqësitë përbrenda një shoqëri, siç dëftojnë sociologët, ndodhin për arsye të faktorëve politikë, kulturorë, ekonomikë e socialë. Këta faktorë, secili në mënyrën e vetë, kanë peshën e tyre mbi zhvillimet brenda një shoqëri. Përcaktojnë orientimet e saj, ambiciet për transformim e reforma.
Te ne, këta faktorë, janë ngatërruar dhe s’dihet mbi ç’bazë ndodhin përplasjet e pakënaqësitë. As këto të fundit.
Ndaj, me të drejt shtrohet pyetja: ku ndodhet shoqëria jonë?
Në një qark të mbyllur, pa shtegdalje, pohojnë me gjysmë zëri, ata që janë më skeptikë. Në rrugë për të sendërtuar aspiratën e kahmotëshme për kthim në Familjen Europiane, pohon pala tjetër. Drejt humnerës, pohojnë ata që duan ta përmbysin këtë rend.
E në fakt, realiteti- nëse shikohet vërtet në sy, është diku përtej këtyre kategorizimeve.
Përkundër përplasjeve e problemeve të shumta, me të cilat po ballafaqohet vendi, ne ende po flasim me një gjuhë të paqartë për esencën e problemeve: të atyre të trashëguara dhe të rejave. Ne vazhdojmë të mos e shohim realitetin në sy dhe sajojmë gjithfarë teorish për problemet tona. Ndërsa zgjidhjet i kërkojmë më shumë jashtë nesh, sesa brenda nesh. Shpeshherë, me një lehtësi të padurueshme, të keqen e faturojmë gjithkund tjetër, përpos te vetja jonë. Pa mëdyshje, kjo është mënyrë më e lehtë për të amnistuar vetveten dhe për të hequr dorë nga përgjegjësia për gjithçka që zihet e ndodh përbrenda nesh. Por kjo qasje nuk zgjedh asgjë.
Përgjatë viteve të fundit, ne e kemi injoruar atë çka është esenciale për një shoqëri: pushtetin e gjuhës dhe mundësisë së pakufishme që ka ajo për të formësuar të vërtetat tonë politike, kulturore, ekonomike e sociale. Mundwsitw qw ka ajo pwr tw ndikuar te tjerwt, te formimi i botëkuptimeve dhe bindjeve pwr qwshtje specifike tw shoqwrisw.
Ndaj, e kemi kontaminuar ambientin me një gjuhë johumane, të paqytetëruar, që shkelmon dhe dekonstrukton; një gjuhë që nuk ndërton e formëson. Kur e përmendim pushtetin e fjalës, ne kuptojmë pushtetin e fjalës së shkruar, të mendimit të artikuluar, të politikës, të dijes e të kulturës, që përfaqësohet në media, libra e forma tjera të komunikimit publik.
Shoqërisë sonë viteve të fundit i ka munguar një kauzë që vihen në shërbim të interesit të përbashkët. Që promovon kulturën e interesave të përbashkëta dhe që është kundër fragmentimit të shoqërisë. Një kauzë që sforcon armët e humanizmit, përballë murtajës së gjuhës; përballë pushtetit të gjuhës helmuese, që përhap urrejtje, ndarje e persekutim.
Pa mëdyshje, për gjitha këto mungesa që e karakterizojnë shoqërinë tonë, mund edhe të gjenden shfajësime. Mirëpo, askush s’na ndalë që të bëjmë hapin tjetër. Të fillojmë një rrugëtim e riorientim të ri të shoqërisë sonë. Nëpërmjet një gjuhe humane. Sepse e kemi detyrim moral, t’i kundërvihemi të keqes, jo për shkak të një agjende të fshehët, por për shkak të një kauze të mirë e të drejt. Ndaj, s’ duhet të lejojmë instalimin e logjikës së persekutimit, eksomounikimit dhe fragmentimit.
Për vite te tëra, kemi lejuar symbyllazi që politika të bëhet instrument i vetëm i formësimit të vërtetave tona. Dhe në këtë pikë, gjithë kemi pohuar me gojën plotë: politika i ka shtrirë duart në universitet, në institucionet e pavarura të dijes, të kulturës, në media e ku jo tjetër. Kësisoj, e kemi klishetizuar mendimin për politikanët, duke krijuar mitologji për ta.
Kjo ka bërë që të mos kemi kujdes ndaj pushtetit të gjuhës. Dhe këtë fuqi të epërme, e kemi lënë në mëshirën e gjithkujt: më së shumti të atyre që gjuhën e keqpërdorin. Ne kemi folur vjedhurazi për pushtetin që ka ajo mbi jetën e njeriut, pro asnjëherë s’kemi llogaritur në fuqinë reale të saj. Ndonëse përvoja empirike ka dëshmuar se “gjuha është sa një mijë ushtri.” Se ai pushtet mundet të ndryshojë botën, për të mirë e për të keq. Të formësojë të vërteta e të rrënojë të vërteta.
Pas gjitha këtyre përplasjeve që ndodhin përbrenda shoqërisë sonë, shtrohet pyetja: a e kemi simplifikuar kuptimin e lirisë brenda një qarku të mbyllur ku po vërtitemi, pa besim në shtegdalje? A ka rruga për të dalë nga kjo mbyllje?
Këto pyetje e dilema, shtrohen me gjysmë zëri, mirëpo pa marrë ndonjë përgjigje të qartë. E ndërkohë, debati vazhdon të jetë i cektë e sipërfaqësor. Kjo për faktin se shoqërisë sonë i mungojnë autoritet që mund të qëndrojnë mbi palët që përplasen politikisht, principet e të cilave, ngjet më shumë të jenë personale sesa kauza të qarta për t’i dhënë formë e përmbajtje tjetër lirisë së Kosovës. Dhe kështu, për të krijuar parakushte për një të nesërme më progresive.
Tanimë, kur përçapjet tona kah lira nuk pengohen nga tjerët, raporti ynë më fjalën, pra pushtetin e gjuhës, vazhdon të jetë më i përçudnuar se kurrë. Më i trazuar se kurrë. Shfaqet si një raport aporishe kundërshtish nga më të çuditshmet e më absurdet.
Shoqëria jonë, e epur për diçka më ndryshe, pyet e habitur: A ka fjala fuqi të mjaftueshme për ta ndryshuar botën tonë, për t’i dhënë asaj dimension më human, dhe për ta çuar vendin tonë kah lumturia e përsosmëria?
Ne jetojmë në një vend demokratik, ku parimisht ka liri të fjalës, mirëpo raporti ynë me të, mbetet një nyje nevralgjike e keqkuptimeve të shumta.
Ndaj, temat nacionale, bëhen burim për keqkuptimet të mëdha. Siç janë këto të skenave të fundit që i shohim ankthshëm.
Se jemi shoqëri e brishtë dhe në ndërtim e sipër, kjo është çështje e ditur. Se kemi mungesë të ekuilibrave të qëndrueshëm; mungesë të përvojës e të dijes, po ashtu është çështje e ditur, ndaj, krejt çka mund të nxjerrim nga kjo gjendje është të kemi kujdes për pushtetin e gjuhës. Të mos e helmojmë krejt shoqërinë. Mu për këtë, kërkohet kujdes i shtuar ndaj fjalës publike, mënjanimit të gjuhës së helmuar, që prodhon tensione, shpall heronj e tradhtarë sa çel e mbyll sytë.
Është koha e fundit që gjithë ata që merren apo pretendojnë të merren me çështje të shoqërisë, shtetit dhe republikës, të flasin me një gjuhë të qartë. Dhe të veprojnë kundrejt logjikës se fajësimit të tjerëve, sepse përvoja dëfton se “nuk janë aspak “ata” fajtorët për gjithçka, jemi vetë ne, vetëm ne” shkruante shkrimtari Aleksandër Solzhenicini.
Shoqëria jonë pyet çdo ditë: a është kthyer humanizmi ynë prapa? Çfarë ngjet me njerëzinë? Me kauza të larta, me idealet e dikurshme?
Për të shpjeguar këtë kontekst, na vjen në ndihmë i përndrituri Umberto Eco, një nga mendjet më të shquara të kohës sonë, i cili duke trajtuar plagët e kohës, betejën mes kujtesës dhe yshtjes pas imazheve e cektësisë, shkruan:”Fuqia e një etike matet me sjelljen e shenjtorëve dhe jo me sjelljen e të marrëve, “Zoti i të cilëve është barku.”
Në fakt, shoqëria jonë e brishtë, mediet tona pa ndonjë traditë, institucione tona të paetabluara, duhet të promovojnë me ngulmë filozofinë që kërkon Eco: që fuqinë e etikës ta masim me etikën e shenjtorëve e jo me sjelljet e të marrëve.
Vetëm kështu mund të sendërtojmë Republikën e Ndërgjegjes, atë që e kemi ende ëndërr të parealizueshme.