
Nga Gani Mehmetaj
Përsëritja e vazhdueshme e të parit të Bashkësisë Islame se në Kosovë shumica janë myslimanë, është gënjeshtër. Mbi këtë gënjeshtër të përsëritur më mijëra herë, fatkeqësisht mbështeten deklaratat e medieve ndërkombëtare. Si mund t’i fusin në thesin e myslimanëve mbi 90 për qind të shqiptarëve, kur pjesa dërmuese e tyre kurrë nuk kanë shkuar në xhami, kurrë nuk janë pagëzuar sipas riteve myslimane, kurrë nuk i kanë respektuar traditat islamike etj. Nuk i kuptoj propagandistët islamikë se si i fusin në thesin e myslimanëve ateistët, agnostikët, teistët, të papërcaktuarit, që janë shumica, apo ata që tashmë në masë po i kthehen krishterimit- fesë së të parëve të tyre arbërorë. Nëse propagandistët islamik mbështetën në regjistrimin e fundit të popullsisë, atëherë e mashtrojnë opinionin dyfish, sepse të gjithë e dinë se ky regjistrim ishte i falsifikuar, sidomos në aspektin fetar; ministri që e udhëhoqi regjistrimin e shqiptarëve ishte turk, i caktuar nga Turqia e jo i zgjedhur nga Kosova; ekipi i regjistrimit ishin të papërgatitur e amatorë, e tha njëri nga regjistruesit në konferencën e shtypit; shpërtheu skandali kur dolën zërat nga brenda se kartelat e regjistrimit tashmë janë plotësuar; popullata shqiptare u zvogëlua për 300 mijë veta etj.
Prandaj, sipas shumë të dhënave: shqiptarë myslimanë në Kosovë janë më pak se 10 për qind e popullatës, të pagëzuar sipas riteve myslimane janë edhe më pak, ndërsa më pak 3 për qind shkojnë në xhami. Këtë e thonë me zemër plasje edhe hoxhallarët.
Prej nga alkimia e 90 për qind të shqiptarëve myslimanë? Pse përsëriten gënjeshtrat islamike kudo e kurdo?
Por në mungesë të numrave islamikët janë shumë të zhurmshëm, agresivë e militant, reagojnë më nervozë si serbët dikur, kur na kundërviheshin dhunshëm.
Nga ribotimi i plotësuar i librit: “A di Zoti shqip”