Quantcast
Channel: Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Në Gjenevë në mënyrë solemne shenohet Dita e Flamurit dhe 103 vjetori i themelimit të Shtetit Shqiptar

$
0
0

Më  28 nëntor 1443  Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin  kombëtar në  Kalanë e Krujës. Ndërkaq 469 vjet më vonë 83 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare të prirë nga Ismail Qemali zyrtarizuan në Vlorë ,simbolin tonë kombëtar duke shpallur pavarësinë e shtetit  shqiptar.

Komuniteti  Shqiptar i Gjenevës, edhe  sivjet  ka   mobilizuar  të gjitha  Shoqatat , Klubet  dhe Shoqëritë  artistike  që veprojnë  në këtë kanton në mënyrë që 103 vjetori i  themelimit të Shtetit Shqiptar të shënohet  sa më denjësisht.
Objektivat e parashikuara  u përmbushën   në tërësi  falë edhe ndihmës materiale të miqve zviceranë.
Në saje të kësaj ndihme me  kohë  është bërë rezervimi   i   sallës së koncerteve“Palladium” në Gjenevë, e cila mbrëmë ishte përplot  me mërgimtarë jo vetëm nga Gjeneva , por edhe nga qytetet  përreth saj.
Manifestimi i si zakonisht  nisi me  intonimin e himit kombëtar. Pastaj drejtuesja  e këtij programi festiv  Zonja Nerxhivane Ferati  – Sejdiu  prezantoi  përmbajtjen e programit dhe më pas ajo  përshëndeti deputetët e Parlamentit të Gjenevës  François  Lefort dhe Luc  Barthassat  të cilët me pjesëmarrjen e tyre nderuan këtë  festë të veçantë të popullit shqiptar. Nga pala shqiptare të pranishëm ishin   Z. Naim Malaj deri para pak kohësh  Ambasador i Republikës së Kosovës  në Zvicër dhe konsujt e Konsullatës sonë   në Gjenevë  Z. Ramadan Avdiu, në cilësinë e  konsullit  të përgjithshëm dhe Z. Arjan  Kashtanjeva  po ashtu i ngarkuar  me punë si konsull në këtë Konsullatë.
Të gjithëve u ra në sy mosprezenca e përfaqësuesve të Shqipërisë ,por arsyet e mungesës së tyre nuk u theksuan. Në një datë kaq të rëndësishme mospjesëmarrja  është e pajustifikueshme.
Konferencierja   e kësaj  nate festive Z.  Nerxhivane Ferati – Sejdiu  u bëri  një  vështrim të gjitha periudhave nëpër të cilat  ka kaluar Shqipëria dhe populli i saj .  Ajo në mes tjerash tha : Me gjithë tronditjet dhe  përplaset që ka pasur Shqipëria nëpër shekuj populli i saj e ka ruajtur  gjuhën dhe e ka ushqyer vazhdimisht dashurinë për jetën për lirinë për dritën për vendlindjen ,atdheun,  artin, kulturën dhe njerëzimin.
Populli shqiptar e meriton respektin nga të gjithë ngase edhe sipas  ekspertëve ndërkombëtar të historiografisë njihet si populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik.
Shqipëria të ardhmen e saj e sheh  drejt Evropës së  Bashkuar. Populli shqiptar i ndarë në  Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi e Çamëri  në partneritet  me SHBA-të dhe vendet e  Bashkimit Evropian  duhet t’i kthehet  trungut  të tij ,me çfarë do të korrigjohej përfundimisht padrejtësia e Konferencës së Londrës dhe Berlinit ndaj shqiptarëve.
Kjo  kërkesë  është  e përhershme dhe qartë e artikuluar   nga vet populli   i këtyre hapësirave   potencoi    Zonja  Ferati – Sejdiu, me rastin e fjalës së mbajtur në këtë  akademi  solemne  kushtuar procesit të  shtetformimit të Shqipërisë dhe rrugëtimit  572 vjeçar  të Flamurit të ngritur  në Kalanë e Krujës nga kryeheroi  ynë  GJERGJ KASTRIOTI  – SKËNDERBEU.
Pjesën artistike e hapi pianistja dhe pedagogia e njohur   Ermira Zyrakja, e cila  ekzekutoi  me mjeshtëri të veçantë  larushi  vlerash të muzikës klasike .
Brezi i viteve të 80 –ta  e mban mirë në mend  Z. Ermira Zyrakja edhe si aktore.  Ajo  pati shkëlqyer me   lojën e saj të përkryer në filmin “EJA”të regjisorit  Piro Milkani.
Nxënësit  e Mësimit Plotësues të Shkollës Shqipe nga Gjeneva, edhe pse të lindur larg vendlindjes deklamuan  me vullnet e krenari vargje  kushtuar  Flamurit dhe figurave më të ndritura të kombit tonë.  Mjaft mbresëlënëse me ekzekutimet e saj në piano ishte  edhe  vogëlushja  Shila Basha, e cila që tani  lëshoi shkëndija  se në të ardhmen  do jetë një nga emrat e njohur të muzikës klasike.
Plot gjallëri e pasion për vallen në skenë u shfaqen Ansamblet “Gëzuar” dhe “ Rinia  Contact” të cilat për cilësinë e   vallëzimit  të tyre morën duartrokitje të  gjata.
Veçmas  Ansambli  “Gëzuar” me interpretimin e  mrekullueshëm të koreodramës  kushtuar heroit të kombit Agim Ramadani   ngriti në këmbë të  gjithë  të pranishmit.
Aplaudimet  drejtuar  Ansamblit “Gëzuar” ushtuan në të gjitha anët e sallës të shoqëruara  edhe me thirrjet në kor  Rroftë Shqipëria  dhe miqtë  e saj.
Moment tjetër tejet  interesant në  programin e kësaj nate ishte  dhe përfshirja  tashmë tradicionale  e të porsadiplomuarve shqiptar në Fakultetet e Universitetit të Gjenevës.
Me këtë rast ideatori  kësaj nisme inxh. Ali Sh Mehmeti  Kryetar  i “Komunitetit  Shqiptar të Gjenevës” ndau mirënjohje për të diplomuarit në nivelin Master dhe për ata me titullin  Doktor  Shkence.
Z.  Mehmeti duke ndarë gëzimin me këta të rinj tha: “Vetëm kështu   jemi të barabartë midis të barabartëve.

Kontributi  juaj në institucionet e shtetit zviceran përveç integrimit  tuaj të mirëfilltë e miqëson edhe më tepër  popullin tonë  me vendasit.”

Suksesi i këtyre të rinjve   sikur ia shtoi  energjitë  këngëtares sonë të mirënjohur Miranda Hashani . Ajo  e ftuar  nergut  nga  organizatori në këtë kremte  dha  gjithçka nga vetja vetëm e vetëm  që auditori i kësaj mbrëmje të mbetet i kënaqur.
Minutat e ndarë për këngëtaren  Mimoza  Nazrako me origjinë nga  Tirana  u  realizuan  për mrekulli. Ajo e njohur  me profesionalizmin e saj argëtoi shikuesit me potpuri  këngësh  të  bukura  të Shqipërisë së Mesme.
Festës së Flamurit edhe kësaj radhe nuk i  munguan bashkëshortët aktiv  Shpejtim  e Afërditë Krasniqi.  Ata  në këtë jubile janë paraqitur me këngët  kushtuar   legjendarëve të historisë sonë më të re Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë LLadrofci ,  pa shpërfillur edhe kontributin e heronjve të  tjerë.
Në këtë mbrëmje janë plotësuar edhe dëshirat  e atyre që preferojnë këngën folklorike.  Enkas për adhuruesit e  këtij zhanri muzikor  ka kënduar  Grupi” Rapsodët” nga Gjeneva pjesëmarrës të Festivalit  Folklorik  Mbarëkombëtar “Gjirokastra  2015”
Ky koncert me shumë artistë në nderim të simbolit tonë kombëtar  dhe të 103 vjetorit  të  themelimit të shtetit shqiptar dëshmoi  më së miri  dashurinë e pakufishme të  mërgimtarëve tanë  ndaj  Atdheut  -   Gjuhës  dhe Kombit.

 ARIF  EJUPI

 

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Trending Articles