Një vështrim kronologjik nga Epiri i Lashtë, eksodi deri në ditët e sotme të historisë mbi Çamërinë
Çështja çame, një nga çështjet më të ndjeshme jo vetëm të raporteve shqiptaro-greke, por dhe të kujtesës sonë historike, nuk ka pasur këto vite vëmendjen e duhur nga historianët. Pak e njohur gjatë periudhës së komunizmit, pas viteve ’90, janë pritur më shumë studime mbi këtë histori. Historiani Kristo Frashëri, pas hulumtimeve të gjata, vjen së fundi me një studim të mirëfilltë mbi këtë histori. “Historia e Çamërisë” është libri që u provomua dje, nën siglën e UET-Press, i cili vjen si një bashkëpunim me qendrën kërkimore ““Ligji, norma dhe tradita”, pranë Fakultetit Juridik në UET, e drejtuar nga Nevila Nika. Libri është pjesë e projektit “Çamëria, si çështje shkencore” dhe vjen pas dy botimeve të tjera në këtë fushë, “Epiri i jugut, Çamëria”, me një grup autorësh dhe librit të Mentor Nazarkos “Lufta e fundit” për pronat e shqiptarëve në Greqi. Libri është një vështrim historik nga Epiri i Lashtë, për të mbërritur tek eksodi çam apo debatet për këtë çështje në Nju Jork. Frashëri e trajton si një cikël të plotë, historinë fatkeqe të Çamërisë, të kësaj krahine etnikisht shqiptare, peripecitë që ajo pati në rrugëtimin e saj nga lashtësia deri në ditët tonë, si edhe padrejtësitë që shoqëruan trajtimin e çështjes çame në tryezat e diplomacisë europiane. “Si konkluzion, me këtë punim në trajtimin e historisë së Çamërisë, spikatin, së pari, bagazhi historik i autorit në lidhje me trajtimin e çështjes çame; e dyta, aftësia e autorit për ta trajtuar problemin e Çamërisë si problem shkencor i historisë shqiptare; e treta, të dhënat e sakta që përdor autori në trajtimin tepër të vështirë të problemit çam nga pikëpamja historiografike”, thotë historiani Pëllumb Xhufi. Në këtë trajtesë, Frashëri është përqendruar, kryesisht, në vijën e përgjithshme të ngjarjeve historike që kanë tronditur krahinën e Çamërisë. Këto ngjarje fillojnë me problemin tepër të hershëm të historisë së Çamërisë, e cila ka të bëjë me përbërjen etnike të banorëve të Çamërisë, kalon pastaj në zhvillimet dramatike të historisë antike që pësoi kjo krahinë, që në atë kohë quhej Thesproti, gjatë pushtimit romak, vazhdon me evolucionin e ngjarjeve që ndodhën gjatë Mesjetës së hershme, kur emrin e Thesprotisë e zëvendësoi apelativi Vageneti, më tej gjatë Mesjetës qendrore kur fillon përvijëzohet karakteri etnik shqiptar i krahinës së Çamërisë me emrin Despotati Shqiptar i Epirit i fisnikëve Spata. Duket se me këtë studim, profesor Frashëri i kthen një borxh që ia ka historiografia shqiptare kësaj çështjeje. “Deri sot nuk është botuar nga pala shqiptare ndonjë monografi, qoftë edhe me përmasa modeste, mbi historinë mijëravjeçare të Çamërisë. Këto vitet e fundit janë botuar kryesisht disa punime me materiale diplomatike rreth debatit të zhvilluar në Lidhjen e Kombeve mbi politikën e spastrimit etnik që ka ndjekur Athina ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Por ato botime, edhe pse me vlerë dokumentare, kurrsesi nuk e plotësojnë kuadrin e përgjithshëm të historisë së Çamërisë. Në këtë punim, ne po ndërmarrim nismën për të trajtuar një histori të dokumentuar të Çamërisë që nga kohët më të lashta deri në eksodin biblik që pësuan çamët më 1944-1945”, thotë Frashëri.
ÇËSHTJA ÇAME
GJATË QEVERISË SË FAN NOLIT
Kristo Frashëri
Qeveria greke vazhdoi si dhe më parë të mos e respektonte vendimin e Komisionit Mikst. Ajo vazhdoi t’i trajtonte shqiptarët çamë si turq, duke nxjerrë prej tyre me dhunë policore deklarata, me të cilat ata pranonin se gjoja i takonin kombësisë turke. Kjo e detyroi qeverinë e Tiranës të vendoste më 18 mars 1924 krijimin e një komisioni, i cili të përgatiste sa më shpejt një projekt për vendosjen në Shqipëri të çamëve në rast se ata do të detyroheshin nga administrata greke të linin vatrat e tyre. Këtë radhë Tirana deklaroi se e kishte seriozisht shpërnguljen e minoritarëve grekë në rast se Greqia nuk ndërpriste dëbimin e minoritarëve shqiptarë. Por, ministri shqiptar në Londër, M. Konica e këshilloi Tiranën të tregohej më e kujdesshme, mbasi Lidhja e Kombeve nuk do ta pranonte shpërnguljen e minoritetit grek nga Shqipëria.
Atëherë, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë iu drejtua ministrave të Jashtëm të Anglisë, Francës, Italisë, nëpërmjet ambasadorëve të saj në Londër, Paris, Romë se e kishte me gjithë mend dëbimin e grekëve të Shqipërisë po qe se Athina do të vazhdonte të dëbonte shqiptarët e Greqisë. Megjithatë, vetë Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë pranon në telegramet e saj se dëbimin nuk e kishte me gjithë mend, por vetëm për të detyruar Athinën që të vinte, sipas shprehjes së saj, në vete. Qeveria britanike u përgjigj se mund të ndërhynte vetëm për dëbimin e çamëve por jo për çështjen e pronave, mbasi rekuizimi i tyre bazohej mbi një kanun, në të cilin ajo nuk mund të ndërhynte në asnjë mënyrë. Veç kësaj, Mehmet Konica mendonte se edhe nëse Greqia respektonte zotimet e saj, edhe nëse ajo ndryshonte kanunin e pronave, “prapë grekët me pusitë, me vrasjet dhe me terrorin e zakonshëm do të dëbojnë çamët nga Greqia”. Po ashtu, Mit’hat Frashëri njoftonte nga Athina më 26 mars 1924 se edhe nëse Greqia deklaronte zyrtarisht se shqiptarët nuk do të bënin pjesë në këmbim, masat që ajo merrte kundra tyre ishin të njëllojta me ato masa që ajo zbatonte për turqit. Jetesa e shqiptarëve në Greqi ishte bërë e pamundur. “Si mund që të jetojë njeriu, – raportonte Mit’hat Frashëri, – kur shtëpinë ia kanë marrë, kur drithin, bagëtinë dhe kafshët ia kanë rekuizuar, kur të huajt i janë bërë zotër në arat dhe kopshtet e tyre?”. Mit’hat Frashëri kërkonte që të fillonte regjistrimi i minoriteteve grekofone të Shqipërisë “jo si reprezalje, por si një masë e nevojshme për instalimin e shqiptarëve që po përzë Greqia, ose që po i shtrëngon tërthorazi që të ikin”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Francës e shihte të vështirë ndërhyrjen e saj pranë Lidhjes së Kombeve pa u marrë vesh me Anglinë dhe Italinë. Përfundimisht, zoti Clinchont ministër fuqiplotë, nëndrejtor për Azinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, mendonte se zgjidhja më e mirë do të ishte një marrëveshje midis Tiranës dhe Athinës për shkëmbimin e minoriteteve të tyre. Nëse kjo do të ishte e pamundur – nënvizonte ai – ne, shkruante ministri shqiptar në Paris Xhemil Dino, do të kishim të drejtë t’i drejtoheshim Lidhjes së Kombeve dhe atëherë Fuqitë e Mëdha do të ndërhynin për të shmangur konfliktin. Konsulli i Shqipërisë në Gjenevë njoftonte më 5 prill 1924 se gjatë takimit që pati me sekretarin Erik Drummond mori prej tij përgjigjen se sapo të ratifikohej Traktati i Lozanës nga katër Fuqitë e Mëdha, do të hynte në fuqi menjëherë edhe traktati për mbrojtjen e pakicave në Greqi dhe se me hyrjen e tij në fuqi pakicat shqiptare në Greqi do të kishin mundësi t’i drejtoheshin drejtpërsëdrejti Lidhjes së Kombeve. Në atë rast, vazhdoi ai, qeveritarët grekë do ta kishin të vështirë t’i trajtonin shqiptarët ashtu si i kishin trajtuar deri atëherë. Ndërkohë, qeveria greke e njoftonte më 5 qershor 1924 përfaqësuesin e saj në Londër, Dhimitri Kaklamanos, se Athina do të përjashtonte shpërnguljen e shqiptarëve myslimanë sapo Komisioni Mikst të kishte marrë një vendim përfundimtar. Më në fund, Komisioni Mikst vendosi më 14 qershor 1924 që të përjashtonte nga shkëmbimi myslimanët me prejardhje shqiptare, kurse myslimanët që do të deklaroheshin turq duhej të provonin origjinën e tyre jo shqiptare. Përndryshe, ata që nuk do ta vërtetonin dot, do të konsideroheshin shqiptarë dhe nuk do të shkëmbeheshin për në Azinë e Vogël. Megjithatë, vendimi nuk u sanksionua me shkrim, por vetëm verbalisht. Gjithashtu, kërkesën shqiptare për të përfshirë në komision një funksionar shqiptar e kundërshtoi delegati grek me pretendimin se në radhët e saj kishte një funksionar që dinte shqip.
Ndërkohë, në Shqipëri ndodhën ndryshime radikale. Më 10 qershor 1924 fitoi Revolucioni Demokratik udhëhequr nga Fan Noli, kurse pushtetarët konservatorë të kryesuar nga Ahmet Zogu u larguan nga Shqipëria. Athina priste që me këtë rast qeveria demokratike e Fan Nolit të hiqte dorë nga presioni që ushtronin qeveritarët e mëparshëm për zgjidhjen e çështjes çame. Por rrjedha e ngjarjeve vazhdoi si dhe më parë.
Më 21 korrik 1924, ministri i Jashtëm i qeverisë demokratike, Sulejman Delvina e njoftonte kryeministrin Fan Noli se: “Qeveria greke, megjithëse ka marrë zotime zyrtare për të mos shkëmbyer elementin shqiptar, nuk i ka respektuar kurrsesi këto zotime. Autoritetet greke po bëjnë një propagandë të rreptë për të shtrënguar shqiptarët të emigrojnë në Anadoll. Duke parë në qeverinë greke këtë mungesë sinqeriteti, – vazhdonte S. Delvina, – këtë çështje ia parashtruan Këshillit të Lidhjes së Kombeve, i cili ripohoi edhe një herë vendimin që elementi shqiptar në asnjë mënyrë të mos dërgohet në Turqi dhe i dha në këtë vështrim udhëzime Komisionit Mikst. Nga ana tjetër, bëmë disa herë përçapje pranë qeverisë turke, që ajo të mos i pranonte shqiptarët e Greqisë në shkëmbim”. 1
Nën ndikimin e qeverisë greke dhe të skenarëve të organizuar prej saj, Komisioni Mikst nuk pranoi t’i konsideronte banorët e Çamërisë shqiptarë. Për të rrëzuar pretendimet e Tiranës, nënvizonte ministri Sulejman Delvina, Athina kishte paraqitur në Komisionin Mikst deklarata të nënshkruara nga disa banorë të Çamërisë, të cilët pohonin se nuk qenë shqiptarë, por turq. Si përfundim, Komisioni Mikst miratoi tezën greke, por shtonte se ata banorë që qenë me origjinë turke, duhej ta provonin pretendimin e tyre, ndryshe do të konsideroheshin si shqiptarë. Përfundimisht, ministri i Jashtëm i Shqipërisë propozonte se për të shpëtuar çamët nga shpërngulja si turq nuk shihte mjet tjetër veçse të shpallte një deklaratë zyrtare drejtuar Lidhjes së Kombeve dhe qeverisë greke, ku të thuhej se meqenëse origjina shqiptare e çamëve është vërtetuar nga gjithë historianët, qeveria shqiptare nuk mund të pranonte emigrimin e tyre. Përndryshe, nënvizonte S. Delvina, Tirana do të shtrëngohej të detyronte grekofonët të emigronin në Greqi, ndonëse e dinte që Lidhja e Kombeve nuk ishte e gatshme ta pranonte këtë veprim. 2
Me gjithë këto protesta të qeverisë shqiptare, Athina vazhdonte presionin e saj në dy drejtime: të nxiste shpërnguljen e çamëve në Turqi dhe të pengonte emigrimin e tyre në Shqipëri. Në këto rrethana, Zyra e Shtypit në Tiranë, paraardhësja e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSh), lëshoi më 25 korrik 1924, këtë deklaratë, në të cilën ndër të tjera thuhej:
“Duke parë këtë përndjekje sistematike të çamëve, qeveria shqiptare i ka bërë një thirrje të fundit Lidhjes së Kombeve që të mos pengojë emigrimin e detyruar të shqiptarëve që kanë vendosur të strehohen në Shqipëri, në vend që të emigrojnë në Turqi. Ajo mendon se kjo popullsi do të vendoset në kufirin shqiptar të krahinës së Gjirokastrës, ku banojnë sot greqishtfolësit. Qeveria shqiptare zbatoi me përpikmëri zotimet e marra përpara Lidhjes së Kombeve lidhur me pakicat greke. Por, nga ana tjetër, ajo ka detyrim moral për t’i dhënë çdo ndihmë popullsisë fatkeqe shqiptare të Çamërisë. Ka rrezik që të ndodhin ngjarje të papëlqyera nga vendosja e shqiptarëve në banesat e greqishtfolësve, por qeveria shqiptare nuk do të pranojë asnjë përgjegjësi për një gjendje të krijuar nga mosrespektimi i një zotimi ndërkombëtar nga ana e autoriteteve greke. Opinioni publik shqiptar, – thuhet më tej në këtë deklaratë, – tregohet shumë i acaruar nga trajtimi çnjerëzor që u bëhet vëllezërve të tyre prej race”. Sikurse shihet, këtë radhë protesta e qeverisë shqiptare, e cila mendohet se është shkruar nga dora e vetë Fan Nolit, kishte tonin e një ultimatumi. Pavarësisht se qeveria shqiptare nuk kishte mjete për ta shpënë deri në fund protestën e saj, Athina u shqetësua.
Ministri fuqiplotë i Greqisë në Durrës i dërgoi menjëherë Tiranës me porosi të Athinës më 5 gusht 1924 një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në të thuhej: “Jam i ngarkuar të njoftoj shkëlqesinë tuaj se në rast se do të merret çfarëdo mase që i përket popullsisë greke të Shqipërisë, qeveria greke nuk mund të rrijë indiferente, por do të veprojë sipas udhëzimeve të interesave të saj”.
Për sa i përket identitetit etnik të çamëve, nëse ishin shqiptarë apo turq, Athina vazhdonte të ngulte këmbë, në kundërshtim me vendimin e Komisionit Mikst, se me cilësimin myslimanë me “prejardhje shqiptare” nënkuptonte çamët e lindur në Shqipëri. Për të rrëzuar tezën e Komisionit Mikst, përfaqësuesi i Greqisë në Gjenevë ngriti çështjen se Këshilli i Lidhjes së Kombeve nuk kishte kompetenca mbi Komisionin Mikst dhe se për interpretimin e fjalëve “prejardhje shqiptare” do t’i kërkohej Gjykatës së Hagës një mendim këshillimor. Por një zyrtar i lartë i Lidhjes së Kombeve i deklaroi përfaqësuesit të Shqipërisë, Blinishti: po qe se qeveria shqiptare do ta prekte minoritetin grek në Shqipëri, çështja do të shkëputej nga Konventa e Lozanës dhe se Shqipëria do ta kishte çështjen e humbur, mbasi Tirana ishte zotuar më 2 tetor 1921 se do të respektonte traktatin e minoriteteve. Gjithashtu, deklarata e qeverisë shqiptare se nuk merrte asnjë përgjegjësi për pasojat që do të rridhnin nga dëbimi i minoritetit grek, ishte një boomerang, pasi tregonte se qeveria e Tiranës ishte e paaftë të mbante nën kontroll popullsinë e saj.
Gjatë vizitës që Fan Noli, si kryetar i qeverisë shqiptare, kreu në muajin shtator 1924 në Lidhjen e Kombeve, midis çështjeve të tjera ai ngriti edhe problemin e shpërnguljes së çamëve myslimanë për në Greqi. Përgjigjet që mori qenë dekurajuese. I thanë se Komisioni Mikst për Epirin nuk është organ i Lidhjes së Kombeve. Nga kjo përgjigje, Fan Noli nxori konkluzionin se Këshilli i Lidhjes së Kombeve nuk ishte i predispozuar të ndërhynte për përjashtimin e shqiptarëve nga këmbimi greko-turk. Megjithatë, ai kishte shpresë se çështja mund të shqyrtohej nga Lidhja e Kombeve nëse ky vendim i miratuar nga qeveria shqiptare i paraqitej zyrtarisht Këshillit nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Pasi erdhi miratimi nga Tirana, më 29 shtator 1924 u mbajt mbledhja e sesionit të tridhjetë të Këshillit të Lidhjes së Kombeve për të shqyrtuar kërkesën shqiptare. Në këtë seancë Shqipërinë e përfaqësoi Fan Noli, kurse Greqinë N. Politis. Në rend të ditës qëndronte çështja nëse problemi çam duhej t’i paraqitej për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Fan Noli, i cili e mori fjalën i pari, vuri re se në tërë dokumentacionin që kishte paraqitur pala greke kishte jo pak deklarata të nënshkruara nga banorë çamë, në të cilat pohonin se ishin turq nga kombësia, kurse deklaratat të cilat pohonin se ishin me kombësi shqiptare përbënin një pakicë të parëndësishme.
“Si është e mundur, – pyeti Fan Noli, – që Komisioni Mikst pasi kishte marrë si pikënisje përjashtimin e shqiptarëve myslimanë të Greqisë nga shkëmbimi, arriti të përfshijë në shkëmbim shumicën e shqiptarëve? Për të shpjeguar këtë paradoks, – vazhdoi ai, – mjafton të studiohet procedura që ndoqi Komisioni Mikst për të përcaktuar ata që duhej të këmbeheshin. Kjo procedurë duhej të mbështetej kryesisht mbi prejardhjen, mbi ndërgjegjen kombëtare dhe mbi dëshirën e shqiptarëve myslimanë për t’u përfshirë në shkëmbim. Kjo procedurë e ndërlikuar ka qenë fatale për shqiptarët e Epirit, sepse ajo i la dyert e hapura për çfarëdolloj shtypjeje nga ana e autoriteteve greke. Kjo ishte për grekët detyra më e lehtë në botë, mbasi ata nuk e kishin vështirë t’i bindnin me dhunë shqiptarët se ishin më turq se vetë turqit. Ky fakt i pamohueshëm, – vazhdoi Noli, – ka tejacaruar opinionin publik në Shqipëri. Ai përbën një rrezik për paqen dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve fqinje. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare është e preokupuar për masën e refugjatëve shqiptarë që na vijnë si nga Greqia, ashtu edhe nga Turqia – shqiptarë çamë të këmbyer si turq, të cilët pasi shkuan në Azi të Vogël konstatuan se qeveria turke nuk kishte fondet e nevojshme për t’i sistemuar”.
Referati i Fan S. Nolit përfundonte me këto fjalë: “Në interes të marrëdhënieve të mira midis Greqisë dhe Shqipërisë; për t’i kursyer Shqipërisë, e cila sot ndodhet në vështirësi financiare, shqetësime të tjera financiare; për t’i kursyer popullsisë shqiptare myslimane të Epirit martirizimin nga dëbimi masiv – qeveria shqiptare i lutet Këshillit të Lidhjes së Kombeve që të ndërhyjë pranë Greqisë për të përjashtuar nga shkëmbimi i detyruar shqiptarët e Epirit, pa i kaluar nëpër sfurkën e kodinës së një ikuizicioni mbi prejardhjen ose ndërgjegjen e tyre. Greqia mund ta bëjë këtë veprim fare lehtë, duke përjashtuar nga shkëmbimi të gjithë provincën e Epirit, e cila është e banuar pakundërshtimisht nga shqiptarët, të vendosur këtu që në kohët që s’mbahen mend, me përjashtim të qyteteve të Janinës dhe të Prevezës, ku ka disa myslimanë jo shqipfolës”. Pas Fan Nolit e mori fjalën përfaqësuesi grek N. Politis. Gjithë fjalimi i tij i gjatë u karakterizua me një retorikë pa bukë, mbushur me llafollogji pa përmbajtje konkrete dhe në disa raste me shtrembërime faktologjike, të zakonshme për diplomacinë greke. Ai e nisi debatin me këto fjalë: “Do të dëshiroja, – tha ai, – t’i përgjigjesha jo vetëm imzot Nolit, por edhe notës që ka përgatitur Sekretari i Përgjithshëm (E. Drummond), ku shihet se zhvillohet një teori e tërë, në të cilën deri tani janë përvijuar vetëm disa premisa. Qeveria greke akuzohet se nuk mban një premtim që ka bërë në Lozanë më 19 janar 1923 dhe se masat që janë marrë nga Lidhja e Kombeve nuk janë të mjaftueshme. Nuk ma merr mendja, dhe do të isha i lumtur ta mësoja, se qeveria shqiptare me ankimin e saj heq dorë nga kërkesat që ajo ka bërë me shkrim (sic!). Sidoqoftë, deri në një urdhër të ri ankimet unë i marr si të sakta. Ajo që dua të them, në emër të qeverisë që kam nderin të përfaqësoj, është se nuk mund të hyj këtu në diskutimin e pretendimeve të qeverisë shqiptare. Po të doja ta bëja, do të kisha shumë për të thënë; do të kisha për t’ju treguar se në ç’shkallë janë në kundërshtim me liberalizimin më elementar këto dy teori që pashë i befasuar, të shpalosen në notën e qeverisë shqiptare (sic!)”.
Shtrembërimi më flagrant i përfaqësuesit grek N. Politis ka lidhje me tezën e komponenteve që përcaktojnë përkatësinë etnike. Sipas tij, gjoja Fan Noli ka thënë se elementi i vetëm i përkatësisë etnike është gjuha. Në të vërtetë, vetë Noli tha se gjuha që flet një popull (pra, jo një individ, por një kolektiv), është pa dyshim një nga komponentët. Si mund të quhet grek një popull që nuk di greqisht? Diplomati grek e shtrembëroi tezën kokëposhtë. Nëse gjuha, tha ai, është komponenti i vetëm (!) i përkatësisë etnike, atëherë vetë Noli që di greqisht duhet të jetë grek, madje Presidenti i Greqisë, Konduriotis “i cili në vatrën e tij familjare flet vetëm shqip”, duhej të ishte Presidenti i Shqipërisë.
Përfaqësuesi grek vazhdoi: “E përsëris, nuk do të hyj në diskutime. Pika që dëshiroj të sjell para jush zotërinj, është kjo: me ç’të drejtë qeveria shqiptare ndërhyn këtu? Me ç’të drejtë ajo citon qeverinë greke përpara Këshillit të Lidhjes së Kombeve? Ku mbështeten të drejtat e saj? Cilat janë lidhjet e të drejtave që ekzistojnë ndërmjet saj dhe qeverisë greke?” Pikërisht edhe në këtë pikë përfaqësuesi Politis e shtrembëroi thelbin e ndërhyrjes së palës shqiptare. Sipas Politis, Noli bëri gabim që po ndërhynte në punët e brendshme të qeverisë greke, veprim ky, gjithnjë sipas tij, i papajtueshëm me statusin e Lidhjes së Kombeve. E vërteta është se Noli nuk iu drejtua qeverisë greke për të shqyrtuar çështjen e minoritetit shqiptar. Por, duke u mbështetur në nenin 11 të statutit të Lidhjes së Kombeve, iu drejtua Këshillit të Lidhjes së Kombeve që ai të ndërhynte pranë qeverisë greke për të përjashtuar nga shkëmbimi shqiptarët e Çamërisë. Edhe në lidhje me nenin 11, përfaqësuesi grek i drejtoi Shqipërisë akuza të padrejta. “Neni 11, – tha Politis, – flet për rastet kur ka rrezik lufte ose për shqetësime që trondisin paqen”. Në tërë fjalimin e tij, Noli vuri në dukje pikërisht rrezikun e prishjes së marrëdhënieve miqësore nga veprimet arbitrare të administratës greke ndaj çamëve. Greqia, – tha ai, – nuk e sheh veten në luftë me Shqipërinë. As nuk e sheh rrezikun e një lufte të tillë”. Pikërisht në këtë pikë shpërtheu retorika shterpe greke. “Qeveria greke, – tha Politis, – nuk synon aspak të bëjë qoftë edhe agresionin më të vogël kundër popullit shqiptar. Përkundrazi, ajo shtyhet me të drejtë, nga ndjenjat më të mira të përzemërsisë, të mirëkuptimit, të fqinjësisë së mirë, madje dhe të miqësisë. Ajo nuk shtyhet nga ndjenja armiqësore ndaj Shqipërisë, sidomos tani që ajo ka fatin të ketë në krye një prelat, mik të madh të Lidhjes së Kombeve, i cili pavarësisht nga flluskat e sapunit që sheh rreth saj, beson gjithmonë në idealin e madh të paqes që ajo përfaqëson”.
Në lidhje me premtimin që delegati grek Caclamanos bëri më 19 janar 1923 në Lozanë, diplomati grek Politis pyeti: “Kujt iu bë ky premtim? Unë nuk po ndalem mbi një argument që mund të formulohej, por që unë nuk dua ta shpërfill: pra, që nuk ka asnjë akt të shkruar, pasi për mua, fjala e dhënë, qoftë ajo e sanksionuar me shkrim ose qoftë thjesht gojore, është njëlloj e shenjtë. Pra, premtimi u dha dhe ai do të mbahet ashtu siç është mbajtur tashmë. Por kujt i është dhënë ai? Për kë krijon ai të drejta juridike?” (Donte të thoshte se premtimi nuk iu dha qeverisë shqiptare). Ai krijon detyrime vetëm ndaj popullsive të interesuara, vetëm ndaj njerëzve që i përkisnin pakicës shqiptare në territorin grek dhe me të vetmin kusht, por të mjaftueshëm: kontrolli i Lidhjes së Kombeve. Politis shtroi pyetjen nëse në ligjin mbi regjimin e Pakicave, a do të kishte të drejtë shteti që ka lidhje racore me pakicat (pra Shqipëria) të ndërhynte për rregullimin diplomatik, mbi të cilën binte përgjegjësia apo dhe vetëm Lidhja e Kombeve, që kishte mandatin për të kontrolluar zbatimin e regjimit. Ai lëshoi kështu pretencën: “Kjo është arsyeja thelbësore, themelore, për të cilën qeveria greke, duke qenë gjithmonë e gatshme, në masën më të madhe, e përsëris, që të mirëpresë të gjithë sugjerimet, për të zbatuar të gjitha këshillat, për të kaluar edhe nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve, nuk do të pranonte as edhe një çast ndërhyrjen e një qeverie të huaj në punët e saj të brendshme”.
Ai pranoi se qeveria shqiptare e dinte se deri ku shkonin të drejtat e saj, prandaj ajo iu drejtua Këshillit të Lidhjes së Kombeve, “mbasi ajo nuk kishte se ku gjetkë ta mbështeste kërkesën e saj”. Fan Noli tha se në tërë referatin që mbajti N. Politis, ai nxori konkluzionin se megjithatë Greqia do të vazhdonte t’i dëbonte shqiptarët myslimanë çamë. Qëllimi i Politisit ishte, theksoi Noli, të përligjte politikën greke të dëbimit. Politisi ndërhyri duke thënë se, premtimi që ka dhënë Greqia, është mbajtur dhe se ishte gati të pranonte kontrollin e Lidhjes së Kombeve, por jo të Shqipërisë. Noli përsëri ndërhyri. Këtu nuk është fjala për Lidhjen e Kombeve, tha ai, por për faktin se Greqia po vepron duke u mbështetur në deklarata të shpifura sikur vetë shqiptarët myslimanë të Epirit duan të emigrojnë në Azinë e Vogël. “Puna është, – pyeti Noli – se a është e shprehur lirisht dëshira e tyre? Shqipëria nuk ka dashur kurrë të ndërhyjë, sikurse akuzoi Politis, në punët e brendshme të Greqisë. Ne vetëm i bëjmë thirrje Lidhjes së Kombeve për të zgjidhur një polemikë që ekziston midis Shqipërisë dhe Greqisë. Unë nuk besoj se tani ka rrezik për luftë, por marrëdhëniet përkeqësohen, pastaj vijnë konfliktet e më pas lufta”. Përsëri ndërhyri Politis. Me retorikën e tij të zakonshme nguli këmbë se Greqia i ka zbatuar të gjitha zotimet që ka marrë ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Shtoi se Greqia ishte e gatshme të pranonte kontrollin e Lidhjes së Kombeve, por ama nuk mund të pranonte se ka një mosmarrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë. Teza e tij se midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka mosmarrëveshje u farkëtua për të përjashtuar ndërhyrjen e Shqipërisë në dobi të minoritetit të saj. “Nuk ka mosmarrëveshje midis dy vendeve, – tha Politis. Çështja lidhet vetëm me regjimin e Pakicave dhe mund të shqyrtohet vetëm midis Këshillit të Lidhjes së Kombeve dhe qeverisë greke, sipas procedurës së zakonshme të miratuar nga Këshilli për çështjet e pakicave”.
Noli e mbylli debatin me këto fjalë: “Unë e nxora informacionin mbi shqiptarët myslimanë nga vetë raporti i Komisionit Mikst të ngarkuar me shkëmbimin e popullsive. Ky raport thotë se vetëm një pakicë mjaft e vogël është deklaruar me prejardhje shqiptare. Ky është fakti”. Këshilli i Lidhjes së Kombeve në bazë të propozimit të raportuesit Quiniones De Leon, e shtyu çështjen për një seancë të mëvonshme. Ndërkohë, në qarqet e Këshillit të Lidhjes së Kombeve fitoi terren teza e Athinës se çështja e të drejtave u përkiste marrëdhënieve të Greqisë me Lidhjen e Kombeve dhe se Shqipëria nuk kishte të drejtë të ndërhynte në të. Edhe teza shqiptare për shkëmbim të minoritetit grek në Shqipëri me minoritetin shqiptar në Greqi nuk u pranua nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve. Me një fjalë, shqiptarët e Greqisë duhet të shkonin në Turqi dhe grekofonët shqiptarë të qëndronin në Shqipëri. Si rrjedhim, dëbimi me dhunë i shqiptarëve vazhdoi. Përshtypje të thellë bëri sidomos shpërngulja brutale e 10. 000 shqiptarëve të rretheve të Kosturit dhe të Follorinës, të cilët u transportuan si “bagëti” (kështu thuhet në një dokument diplomatik të atyre ditëve) në Selanik dhe prej andej u ngarkuan në anije për në Azinë e Vogël. Sipas një raporti të Mit’hat Frashërit (22 nëntor 1924), deri atëherë ishin shpërngulur gati gjysma e çamëve. Seanca e Lidhjes së Kombeve i filloi punimet më 8 dhjetor 1924, këtë radhë në Firence (Itali). Eric Colban, drejtori i seksionit të minoriteteve në Lidhjen e Kombeve, pohoi se çështja e minoritetit shqiptar në Greqi do të bisedohej (meqenëse Greqia dispononte deklarata se ata ishin turq) vetëm midis Greqisë dhe Lidhjes së Kombeve, kurse delegati shqiptar nuk do të merrte pjesë në seancë si palë kundërshtare. Nga ana e tij, Mehdi Frashëri paralajmëroi se po të detyroheshin shqiptarët e Çamërisë të emigronin në Turqi, ata do të dyndeshin në Shqipëri dhe do të vendoseshin në shtëpitë e grekofonëve, gjë që “do të dëmtonte relacionet e mira që ishin duke u vendosur midis Shqipërisë dhe Greqisë”. Më 11 dhjetor 1924 u lexua raporti i Colban, ku merrte pjesë edhe përfaqësuesi grek Karapanos (ish-ministri i Jashtëm i të ashtuquajturës qeveri të “Vorio-Epirit”, më 1914). Raporti, i cili u miratua pa vërejtje, trajtonte tri çështje: 1. Shqiptarëve që do të përjashtoheshin nga këmbimi do t’u ktheheshin pronat. 2. Veprimet e Komisionit Mikst do të mbikëqyreshin nga tetë anëtarë neutralë. 3. Do të merrej një përkthyes shqiptar ose nënshtetas grek ose i një kombësie tjetër. 6
Në kohën kur zhvillohej seanca e Këshillit të Lidhjes së Kombeve në Firence, qeveria e Nolit përjetonte grahmat e fundit të jetës së saj. Madje, më 24 dhjetor 1924, ajo u përmbys. Vetë Noli me qeveritarët e tij mërguan jashtë Shqipërisë. Në pushtet erdhi Ahmet Zogu, i cili disa ditë më vonë u bë kryeministër, kurse më 21 janar 1925 u shpall president i Republikës së Shqipërisë. Gjatë këtyre ditëve të tranzicionit, veprimtaria diplomatike e Shqipërisë u ndërpre. Ndërkohë, u ndërpre përkohësisht edhe trajtimi i çështjes çame në Lidhjen e Kombeve.Gazeta Shqip