Shkolla shqipe në Treviso (Itali) feston 7 e 8 Marsin
Nga Florim Zeqa
Shkolla shqipe në Treviso, të shtunën me 5 mars 2016, në lokalet ku zhvillon mësimin paralelja e mësimit plotësues të gjuhën shipe në Padernos e shënoi festat e 7 e 8 Marsit, duke shpalosur të arrituart dhe sukseset e deritanishme edukativo arsimore të paraleleve në Paderno dhe Quinto (TV).
Festa u organizua nga drejtuesit e Shkolla Shqipe – Treviso, mësuesit Malsore Shaqiri, Bajram Desku dhe Beqir Cikaqi dhe nxënësit e dy paraleleve në Paderno dhe Quinto, ku për herë të parë bënë një organizim të përbashkët, duke dëshmuar cilësi dhe vlera, unitet dhe gadishmëri për vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore.
Lokali ishte i vogël që të krijohet hapësirë e domosdoshme për të gjithë pjesëmarrësit, i stërmbushur nga prindërit, nxënësit, aktivist dhe veprimtar të pranishëm në këtë aktivitet festiv.
Programi u hap me intonimin e himnit kombëtar të kënduar nga nxënësit e shkollës shqipe të dy paraleleve nën dirigjimin e mësuesës Malsore Shaqiri, njiherit edhe moderatore e këtij aktiviteti, e cila pas urimit për festat e 7 e 8 Marsit, së bashku me kolegun Bajram Desku prezantuan punën, të arriturat dhe vështirësitë me të cilat përballen gjatë mbarëvajtjes së punës së tyre me nxënësit shqiptar.
Moderatorja e programit pasi e lexoi edhe mesazhin e urimit nga ministri i Diasporës z. Valon Murati, drejtuar mësuesve të diasporës, fjalën më pas i dha koordinatorit të shkollës shqipe në Treviso, profesorit Beqir Cikaçi, i cili foli për historikun e festës së mësuesit dhe historikut të shkollës shqipe në përgjithësi; “Të nderuar të pranishëm, 7 dhe 8 marsi, janë dy data shumë domethënëse për familjet shqiptare kudo që ato punojnë, jetojnë e mësojnë sot. Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Kështu ajo ditë 7 marsi festohet si Dita e Mësuesit… Ndërsa, si paralele me ngjajshmëri të Shkollës së Korçës, mund ta krahasojmë Shkollën Shqipe tonë të MP këtu në Treviso, nëse bazohemi në formen dhe mënyren e të startuarit dhe ekzistuarit… Dhe derisa, 7 Marsi është Festa e Mësuesve, 8 Marsit është Dita Ndërkombëtare e Gruas, që shqiptarët e njohin edhe si Festa e Nënës, dita ku nderohet sakrifica dhe përkushtimi i gjithë grave në botë, në familje, në shoqëri, në punë e kudo… Në emrin tim, në emrin e kolegëve, dhe në emrin e nxënësve të Shkollës Shqipe të MP të Trevisos, iu urojë të gjithë mësuesve dhe nënave shqiptare ditët e festave të tyre kombëtare. GËZUAR 7-8 Marsin!
Në ndërkohë, në aktivitet erdhi edhe kryetarja e shoqatës” ILIRIA”, zonjusha Ermira Zhuri, e cila para fjalës përshendetëse, mësuesës Malsore Shaqiri i dhuroi një buqetë lule të freskëta për 8 Marsin.
Më pas për një fjalë rasti u ftua edhe publicisti Florim Zeqa, i cili pasi uroj mësuesit për 7 Marsin, nënat dhe motrat shqiptare për 8 Marsin ndër të tjera shtoi; “Për mbarëvajtjen dhe funksionimin sa më të mirë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, me numër gjithnjë në rritje të nxënësve, është i nevojshëm një bashkrendim edhe më i madhë i forcave dhe një organizim më i fuqishëm i mësuesve dhe prindërve shqiptar bashkarisht, për krijimin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar (LAPSH), si mundësi e bashkëpunimit me organizatat si motra në mërgatë dhe si një formë më e mirë e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës. Ngase puna e mësimdhënjes është e shënjtë dhe me vlera të shumfishta kombëtare.
Pjesa e programit artistik filloj me dhuratat simbolike të nxënësve që kishin përgatitur për mëuesit e tyre (buqeta lule dhe nga një letër përshendetëse).
Në pjesën e parë të programit artistik prezantoj paralelja në Paderno nën udhëheqjen e mësuesës Malsore Shaqiri, e cila sipas radhës i ftoi për recitim; Erona Kastrati, Edison Haxhijaj, Ermona e Erion Krasniqi, Djellëza Haxhijaj, Dafina Cikaqi, Erëza Kastrati, Alban Sopaj, Hana Haxhijaj, Armend Gallopeni dhe Ideal Shaqiri.
Pjesa e dytë e programit artistik vazhdoi me paralelën e Quintos, ku paraprakisht mësuesi Bajram Desku e prezantoj njërën nga dy nxënëset italiane në paralelën e Quintos, Ilaria Cazzaro e cila rrëfej për motivet dhe dashurinë që ka ndaj gjuhës shqipe. Më pas mësuesi Bajram Desku i ftoi tre nxënëset për recitim.; Ermira Ahmetaj, Altina Gashi dhe Elida Ahmetaj.
Në fund të programit artistik u paraqit me dy valle edhe grupi i valleve të shoqatës “ILIRIA”.
Vlenë të theksohet për fund, se në këtë aktivitet, prezent ishin edhe personalitete të njohura në mërgatë; këngëtarja Elhame Ahmetaj-Gyheli, afaristi dhe veprimtari i njohur Besnik Besimi me bashkëshorten Nora (aktiviste) dhe djalin Ari (vetëm 2 muajsh), më të riun e këtij aktiviteti kulturor.