(Pjesa e parë)
- Që të shkruaj ashtu siç nuk e thonë të tjerët, sepse ata aq skeptikë ishin dhe janë nga mundësia e interferimit të shtetit shqiptar në lëvizjet studentore të vitit 1981, sa askush, e as studiuesit nuk guxuan të merren me të, duke u frikësuar se do të dështonin në përpjekjet për të zbuluar ndonjë gjurmë, sepse ishin të bindur se Shqipëria nuk kishte ato kapacitete inteligjente. Shkrimet, që gjerë më sot takohen, janë të orientuara kryesisht në dy opinione: atë që shteti serb, për interesa të veta, për ta kthyer gjendjen para kushtetuese, të vitit 1974, nxiti trazirat. (Prononcim ky i klikës projugosllave të Fadil Hoxhës), e opinioni tjetër ishte prononcimi i mbartësve të atyre demonstratave (grupet e organizuara ilegale), si rezultat i pakënaqësive të rinisë shqiptare, por disi të rastësishme, që menjëherë pastaj këta të marrin situatën në dorë. Unë shkrimin do ta filloj krejt ndryshe, nga motivi, nxitja, organizimi, fillimi, gjerë tek krijimi i një lideri populist (të tillët krijohen rastësisht), kurse me masivizimin dhe rrugëtimin gjerë te liria e popullit shqiptar nuk do të merrem sepse atë e dinë të gjithë.
Kronologjia: Nga motivi gjerë te fillimi
Lajmi për vdekjen e Titos, në fillimin e majit të vitit 1980, shkatërroi iluzionet, duke thyer formatin e një miti të pathyeshëm, që ishte krijuar në kokat e njerëzve të pashpresë, që e kishin puth shkëlqimin e rrejshëm si të vërtetë. Veç fakti se maskat ishin çjerrë, tek rinia studentore nxiti një debat gati të hapur për atë se çka duhet bërë?! Por, meqë në klikën komuniste të ish-Jugosllavisë grupi i shqiptarëve ishte më i devotshmi për vazhdimin e jetë zgjatjes së asaj Jugosllavie (ndoshta për shkak të frikës së apetiteve të të tjerëve brenda dhe për rreth Jugosllavisë). Rinia shqiptare, krejt ndryshe, duke mos pasur besim në përkrahjen e këtij spektri politik, që ta thyejnë lëvozhgen e burgut të quajtur autonomi, vlonte. Këtë vlim e hetonin të gjithë, por më së shumti i interesonte shtetit shqiptar, që nëpërmjet profesorëve të Tiranës si të dukshëm dhe atyre të padukshmëve që sigurimi shqiptar në Kosovë i kishte gjithkund, e kryen detyrën e vet. Ky shkrim le të jetë rikujtim i fillimit, ose më mirë më thënë, rikujtim i aktivitetit të atëhershëm për avancimin e kërkesave për liri që brenda disa viteve, nga viti 1974, disi kishte rënë në intensitet. Duke parë se Tito vdiq dhe Ngrehina e quajtur Jugosllavi nuk kishte një lider që do ta mbante një unifikim të përgjithshëm, duke parë se shkapërderdhja po fillonte, tërë vjeshtën, por sidomos dimrit të vitit 1980, atëherë kur rinia e sidomos studentët e Prishtinës, duke mos pasur edhe aq hapësirë për rekreacion, të mbyllur nëpër banesat e Prishtinës, por edhe nëpër dhomat e konvikteve, kishin filluar të mendonin për ndryshimet e mundshme në shtetin e atëhershëm të quajtur Jugosllavi. Por, krejt kësaj energjie i nevojitej, pos motivit, edhe lideri që në ndryshimet e mundshme të jetë bartës i procesit. Me që figurat politike zyrtare ishin aq të denatyruara, saqë në ata muaj të dimrit flitej vetëm për Adem Demaqin dhe Enver Hoxhën. I pari që trajtohej si martir, kurse i dyti si një burrë shteti, që domosdoshmërisht do të ndërhyjë nëse situata eskalon, atëherë kur Jugosllavia të shpërbehet. Këtë histori, të gjithë ata që netët e gjata dimri i kalonin në Prishtinë, e dinë. Këtu do ta përfundojë frymëzimin, sepse sado që do të mundohem ta sqaroj më tepër do ta degradoj kuptimin për tërë atë energji që ishte ngarkuar për pesë muaj debate të nxehta nëpër katakombet e Prishtinës.
* * *
Marsi kishte filluar me një klimë të butë, por para se ta filloj tregimin dua që shkurt e shqip t’i demantoj të gjitha shkrimet që deri më sot kanë shkruar për demonstratat, ku njëra palë (po t’i përmendi emrat do të hetohej se janë strukturë ose familjarë të strukturave jugosllave) duke e atribuuar se: sigurimi serb për interesa të veta i organizoi dhe nxiti protestat, sepse demonstrimi kishte ndodh në kohën më të papërshtatshme. Pala tjetër qëndron pas konkluzionit se varfëria e skajshme, diskriminimi ekonomik dhe vetëdija e lartë e rinisë, e udhëhequr nga grupet ilegale, organizoi demonstratat. Meqë ka kaluar një kohë e gjatë që nga ajo ditë, tani kur e vërteta nuk nxit ndonjë efekt negativ për shoqërinë që të thuhet, kërkoj nga ata (disa që në këtë shkrim do t’i përmendi, edhe shokët e këtyre që unë nuk i njoh, por kanë emër, nga profesorët e Tiranës si ligjërues në vitin shkollor 1980/81, nga arkiva shtetërore dhe të gjallët e politikëbërjes së Shqipërisë) që deri më sot ende nuk janë prononcuar. Ata duhet të fillojnë të flasin, nëse për asgjë tjetër, që të jepet e vërteta. Ashtu sikur unë që do të flas tek pas tridhjetë e dy vjetëve, krejt i harruar, por shpresoj që prapë disa më njohin.
Tregimi
Gjithçka ishte e gatshme për atë vlim, duhej vetëm fitili. Për një kohë të gjatë u provua që të plasohet edhe një gënjeshtër se fillimi i demonstratave mund të ishte rastësi, por nuk ishte e tillë. 11 marsi, jo që nuk ishte rastësi, por ishte çudi se si funksionoi aq mirë. Kronologjikisht jo në data, jo në javë, jo në ditë, por në orë, gjithçka lëvizi në të pakthyerën që filloi shkatërrimin e Jugosllavisë, të cilën shumëkush e trajtonte aq të fortë sa as Rusia që kishte nënshtruar Poloninë, Çekosllovakinë dhe Hungarinë nuk guxoi të provonte ta nënshtronte. Meqë ky shkrim nuk është për gjeneratat e reja, por nëse dikush e lexon që ta kuptojë të kaluarën, dua ta shpjegoj se si na dukeshin atëkohë profesorët e Tiranës. Tirana, ky kryeqytet që edhe pse vetëm 185 km në vijë ajrore, për ne psikologjikisht më afër ishte Amerika. Aq larg ishte vizioni për ta ëndërruar Shqipërinë si tokë që preket. Mua më duhet ta përsëris për vete që të tjerëve t’u kujtohet. Ata (profesorët) për ne ishin të mëdhenj, të gjithëdijshëm dhe të fuqishëm. Askush nuk mungonte në ligjërata, por edhe ata që s’kishin nevojë ta dinë, e dinin për profesorët e ardhur nga Shqipëria. Ne ishim të hipnotizuar pas tyre. Profesorët nga Shqipëria që kishin kaluar disa muaj në Kosovë, në mëngjesin e ikjes, por edhe me mesazhe që kishin filluar t’i shpërndanin 24 orë më parë vetëm me gojë, kinse si të paqëllimta, atyre që duhej thënë sepse ata për dy muaj rresht zgjodhën ata që duhej. Ata patën kohë t’i identifikonin njerëzit, ose veç iu vinin informatat. Ata u shpjeguan se ndarja është e përkohshme, ashtu siç ata ishin ndarë dikur nga profesorët e tyre para Luftës së Dytë Botërore, u ndanë, por menjëherë pas luftës prapë u takuan. Kurse në pyetjen gati naive se kur do të vijë ajo ditë, përgjigjja ishte, gati e njëjtë tek të gjithë ata që ishin përcaktuar që të jenë të vetëdijshmit: nëse e filloni sapo të ikim, shumë shpejt do të takohemi. Këta i përcollën dhe nuk e dijë se a kishte mbetur kush pa qarë. Le të mbyllen sytë që ta thërrasim kujtesën për 11 marsin, disa të rinj që u enden tërë ditën duke pritur. E dinin se duhej të fillonte, të gjithë ishin aty, jo më shumë se 30 qe e dinin se çka pritnin.
Mensa e studenëtve – demonstratat e 81′shit.
Pse them jo me shumë se 30 veta?!
Ja pse: të gjithë ata që ishin brenda, pastaj në oborrin e Mensës ishin te njëjtit, që sapo fillojë që të grumbulloheshin aty në plato të njëjtit zbritën në mes të udhëkryqit duke ndërpre çdo lëvizje, pastaj janë të njëjtit që mbasi u mbush sheshi i udhëkryqit më të revoltuarit, aty lanë të pa informuarit duke demonstruar për rreth qytetit. Prapë këta ishin të njëjtit, që të mos them të përzgjedhurit, them të vetëdijshmit, që edhe nuk mund të njiheshim të gjithë në mes vetes, por një zinxhir i lidhte dhe ende i lidh jo më shumë se 30 veta. Këta, që nuk janë më shumë se 30, kur lëshuan Mensën e Studenteve, dolën në udhëkryq dhe lanë një turmë aty të hutuar, por vullnetarë për të demonstruar, këta tridhjetë kur mësyn qytetin lanë pjesën më të madhe të demonstruesve aty. Të gatshëm për të demonstruar që rrugët e Prishtinës t’i mësonin me demonstrime. Këta ishin ata që çanë rrugën nëpër krejt qytetin duke e zënë në befasi tërë atë sistem shtetëror. Këta të tridhjetit u nisën përreth qytetit. Kush mund ta thotë se ishte rastësi që me aq shpejtësi u kryen këto tre veprime. Ende pa e marrë pushteti veten. Aq të papërgatitur ishin saqë veç këta të tridhjetët plus, edhe një pesëdhjetë që ishin shokë të painformuar, kanë parë daljen e policëve rezervë në rrugë, që nuk kishin idenë se si vishej një uniformë. Edhe kjo rastësi, dikush do të mendojë. Dhe menjëherë u paraqit kërkesa e këtyre të vetëdijshmëve drejtuar pushtetit që të lirohen shokët (një ultimatum human që të shahet pushteti), edhe pse ata të tridhjetët ishin të vetëdijshëm se policia nuk kishte marrë askënd. Edhe kjo rastësi, dikujt i duket. Le t’i duket. Unë flas për të vetëdijshmit, që për tridhjetë vjet mbartin peshën e konspiracionit. Flas për të vetëdijshmit, sepse çdo njeri atë natë e kishte së paku edhe një shok ose shoqe me vete. Që po ta dinin edhe ata prapë të njëjtën gjë kishin për ta bërë, sepse Prishtina për ata pesë muaj frymëzimi kishte krijuar aq shumë kryengritës që mezi prisnin atë fillim.
Atë natë duke dashur që ti nxjerrë mga anonimiteti ata që unë i njihsha, ishin:
- Osman Dinaj,
- Xhevat Zeka me shokë, por jo tamam si grup i organizuar.
- Kadri Kryeziu me shokët e vet,
- Ibrahim Nikqi,
- Rexhep Krasniqi,
- Riza Demaj,
- Gjyle Kelmendi,
- Trëndelina Lëbinishta,
- Sanije Mehmetaj,
- Osman Haliti,
- Time Ademaj,
- Rexhep Kelmendi.
- Sylë Muja
Të tjerët që ishin me këtë grup, por nuk kanë qenë të njoftuar nga profesorët e Tiranës, kanë qenë:
- Zymer Gashi,
- Hysen Berisha,
- Hasime Shkreli,
- Mejreme Krasniqi,
- Xun Çeta,
- Shkëlzen Podrimqaku dhe
- Sylë Muja.
Në këtë mozaik mungojnë edhe njëzet veta që unë nuk dëshiroj t’i emëroj, sepse aq pak dija për ta, por kujtimin në kokë për ata e kam. Por, me siguri se zinxhiri i pikëtakimit përmes këtyre që unë me takatin tim njoha, do ta formonte mozaikun e thyer që të jetë i plotë. Është interesante, se të gjithë si një trup, gjatë tërë rrugëtimit demonstrues, i pari pas vitit 1968 funksionoi aq mirë, edhe pse nuk njiheshim të gjithë në mes vete. Demonstrimi i parë pa lejuar që dikush të na dezorientojë, edhe pse nga teatri e gjerë te Instituti Albanologjik ka pasur tërë kohën njerëz të sigurimit të shtetit jugosllav, që tentonin ta shkatërronin atë kompaktësi që të mos mbërrijmë prapë te udhëkryqi pranë mensës. I bindur se askush nga ky grup në atë rrugëtim nuk është kapur nga policia, por ajo që askush tjetër nuk e din është se: asnjeri nga ky grup kompakt kurrë nuk është akuzuar për atë lëvizje rreth qytetit, asnjëri askënd nuk e ka denoncuar dhe kujtimet e atij kujtimit kanë mbetur të pa prekshme gjerë në ditët e sodit. Një demonstrim i atij grupi që nuk pati as edhe një spiun në mesin e vet. Nganjëherë këtë rrugëtim e krahasojë me trap lumi që drunjtë ashtu të lidhur njëri me tjetrin mbahen fort që të mos shkapërderdhen. Pushteti provoj, që krejt në fund të organizoj një barrikadë prej policësh aty para Institutit Albanologjik, që të mos mbërrijmë edhe njëherë gjerë te qendra e udhëkryqit te Mensa e Studentëve, por arritëm, fal trimërisë së Ibrahim Nikqit. Ky ishte misioni i këtij grupi dhe pastaj lëvizja studentore mori kahjen e duhur me fytyra të reja dhe grupe të organizuara që kishin filluar të grumbullohen ashtu siç ishin të organizuar. Për këtë fillim të demonstrimit nuk e kanë ditur as Ali Lajçi dhe as Isuf Zenunaj, dy burra të mirë që mbajtën fjalimet e para për kushtet. Edhe pse të gjithë këta me vetëmohim e sidomos Hydajet Hyseni më 1 prill kryen detyrën e vet. Flitej për Bajrush Xhemajlin,Kadri Kryeziun dhe Gani Kocin që kanë qenë të vetëdijshëm për demonstratën, por unë nuk i njihja, nuk i njoh as sot (këtu flas për njohje fizike).
* * *
Pra, Organizimi ka qenë i vetëdijshëm, mirë i organizuar, i motivuar dhe i orientuar nga shteti shqiptarë. Me elementin e Pikave që të përbëjnë tërësinë. Pa mëdyshje, gjerë tek fjalimi i Ali Lajqit, e tëra ka qenë organizim i shtetit Shqiptarë. Pastaj vërshoj, aq shumë kishte prurje dhe histori të mëdha, aq shumë kishte të vdekur dhe të burgosur, aq shumë kishte vuajtje dhe tortura sa nata e 11 marsit nën hijen e ngjarjeve të mëdha u harrua. Pas asaj nate ka pasur gjithçka, edhe mirë, edhe keq, por lëvizjen më, askush nuk mundi ta ndalë. Sepse u krijua Lideri i popullit që duhej të lindte nga grupi i të panjohurve. Shtrohet pyetja pse? Sepse, edhe po të detyrohej (se dajakut nuk i dihet, ashtu siç edhe ndodhi), s’do të dinte të tregonte fillin e organizimit. Ky Lider, që për njëmbëdhjetë vite shteti serb u mundua që ta diskreditoj tek populli, duke krijuar gënjeshtra të çdo natyre. Por mbeti Lider.
Ndoshta nuk është dashtë të flitet edhe pse duke i treguar të vetëdijshmit nuk dekonspirova të vërtetët, ata që ishin në mesin tonë, por nuk kishin emër, që nga Mensa e studenteve dhe për rreth qytetit.
Ne të vetëdijshmit shumë dinim për njëri tjetrin, por me shumë prej tyre personalisht kurrë as që jemi takuar, që të ruanim sa më shumë fshehtësinë. P.sh Xhevat Zekën, tek pas luftës e kam takuar dhe mezi e kam njohur kurse Kadri Kryeziun nuk e kam takuar kurrë më. Një kohë të gjatë kam jetuar me një fshehtësi, por tani që vendosa të flas, atyre që kanë përjetuar torturat më çnjerëzore që ta pranonin vrasjen e një polici gjatë demonstrimit, më duhet të dëshmoj diçka, për hir të shumë shokëve që i njohë dhe si njohë, por e kam kuptuar se janë torturuar nëpër burgjet serbe për atë vrasje që ndodhi nga një pjesëmarrës i vetëdijshëm. Ai ishte Ibrahim Nikqi, që për ta shpëtuar jetën e vetë dhe të një shoqeje në vetëmbrojtje kishte vra policin. Të njëjtin veprim e provoi edhe Rexhep Krasniqi që së bashku me heroin Xhemajli Berisha donin me çdo kusht të mbërrinin gjerë tek një njeri i urryer që e meritonte atentatin. Polici që e ndaloi drejt cakut, e hëngri plumbin, por vetëm u plagos, ndoshta pse ishte revole e vjetër që Rexhepi e kishte siguruar me fukarallëkun e vetë. Ishte më i varfëri i krejt shoqërisë, kurse ne të tjerët edhe pse e filluam duke kërkuar kushtet ishim studentet e mbi mesatares ekonomike. As këtë Rexhep Krasniqin nuk e kam takuar më kurrë. Unë edhe pse Ibrahimin në Gjimnazin e Pejës e kisha pasur shok të bankës kur u burgosëm, dy muajt e qëndrimit në dhomën që e ndanim me dhjetë të tjerët i kaluam pa folur asnjëherë në mes veti, duke iu frikuar se mos dikush dinë diçka për vrasjen e policit dhe na kanë bashkuar që të dekonspiroheshim.
Sa për të kuptuar edhe diçka që mozaiku t’u lidhet miqve, por edhe të atyre që nuk e dinë të vërtetën, ose dëshirojnë që ta ndryshojnë. Së bashku me Trëndelinën, duke shpejtuar që ta fshihnim flamurin që të mos bie në duart e policëve, më bie tromblloni i pa eksploduar në kërdhokull dhe plagosem, por që të mos bie në duart e policëve që i kishim shumë afër, ajo me ndihmën e një kushëriri të Ibrahim Kelmendit më mbartin deri në konviktin numër tre ku unë dhe Trëndelina e kemi fshehur Flamurin. Fatmirësisht vetëm unë dhe ajo e dimë ku. Këto disa gjëra të pa rëndësishme po i them që disave që nuk kanë qenë të vetëdijshëm se Trëndelina ka qenë pak më shumë se të tjerët e përgatitur. As këtë nuk e kam parë kurrë më. Besoj se jeton sepse unë nuk e kam marrë flamurin nga ai vend i fshehët.
Meqë ky rrëfim është i shkruar pas tridhjetë e dy viteve me të vetmin qëllim që më një datë historike ku të gjithë pjesëmarrësit janë më të mëdhenj se një epokë, le të shkruajnë për pjesëmarrje që të lavdërohen, sepse është për lavdërim, por askush mos t’i merr tjetrit hisen e vet. Sepse ka aq shumë vend për aq pak njerëz të 11 marsit. Kurse, mua nuk më duhet asnjë datë tjetër sepse aty e pashë forcën e Shqipërisë dhe rënjen e Jugosllavisë.
Dhe krejt në fund sepse ndoshta herën tjetër pretoj të shkruaj. Disave që mendojnë që dinë ose kanë pretenduar që janë të mençur kanë harruar diçka që unë dua ta tregojë sepse për shumë vite dy gënjeshtra të plasuara në tregun e dezinformatave shëtitën pa i demaskuar askush.
E para: Gënjeshtra e atëhershme e plasuar nga Kuzhina serbe se Ali Lajqi, (Lideri i pa kontestueshëm i lëvizjes së vitit 1981) e bënte jetën mondane dhe kinse nuk ishte fare në burg, por si i përkëdheluri i Beogradit bënë jetën e tradhtarit, aq shumë njerëz e përgojuan dhe gënjeshtrës i besuan, por pasi që doli në dritë e vërteta, askush që foli atëherë edhe pse dihen njerëzit nuk kërkoi falje.
E dyta:
Unë çmoj dy grupe njerëzish gati njësojë, ata që falin por edhe ata që kërkojnë falje. Aq shumë më dhemb për këto trillime sa që po të analizohen gënjeshtrat dhe përgojimet ndaj këtyre pishtarëve të lirisë, asnjë nuk shpëtojë pa qen spiun dhe i pamoralshëm! Jo e dhembshme por e tmerrshme! Për këtë e kam edhe një apel sfidues. Nëse ka vetëm një të burgosur ose të përndjekur politik që nga kuzhina serbe nuk është quajtur spiun ose që nuk është veshur me ndonjë epiteti të ndytë. Le të lajmërohet për libër të Ginisit.
Kurse sa i përket fillimit të demonstrimit që nuk mund të ndodhte pa pjesëmarrjen e këtyre të tetëdhjetëve, kërkojë që ata që nuk kanë ende emër të deklarohen më emër dhe mbiemër që të gjitha hallkat e zinxhirit të plotësohen, sepse kjo është pika më e errët, disa pjesë të këtij mozaiku mungojnë. Por ju lutem të mos jenë më shumë se sa 80 veta, sepse po u bënë do të dal unë nga ajo listë që nuk isha fare që tridhjetë vite.
Demonstrata e 11 marsit të vitit 1981 jo që nuk e ka organizuar, siç thuhet Jugosllavia, por aq e befasishme ka qenë për Jugosllavinë zhvillimi dhe përshkallëzimi sa që hetuesit në ditët e para të takimit me patriotët e burgosur nuk kanë ditur as çka me i pyet. Pos me i torturua si të tërbuar.
______________
P.S – Në arkivat shqiptare ekziston njoftimi se atë natë më 11 mars të vitit 1981 autobusi me profesorët nga Tirana është ndalë në kufi nga ana e Ushtrisë Jugosllave, por pas një gjendje të tensionuar e nxitur nga ushtria Shqiptare autoritetet kufitare Jugosllave të frikuar kanë lëshuar udhëtarët. Krejt në fund, arsyetimi se pse e përmenda të parin Zotëri Osman Dinaj është se njeriu mund të burgoset dhe të martirizohet, mund të vritet dhe si Hero të mbetet, të vritet si tradhtar ose dezertorë, mund të mbetet në Histori siç janë Ali Lajqi dhe Xhavit Haliti, por njeriu që e ka kryer detyrën e vetë, pos mbrëmjes së 11 marsit, atëherë kur Aliu me shokë u krijuan si Lider por mbas 27 marsit ranë në burg, me 1 Prill, po të mos ishte ky, Osman Dinaj, që e hapi prapë rrugën drejtë qendrës së qytetit që protesta gjithë popullore të ndodhte, ndryshe do të shkruhej historia e 1 dhe 2 prillit të atij viti. Dikush mund të pyes pse ky dhe ata që u përmendën më lart nuk mund të ishin Lider? Sepse njerëzit e tillë kryejnë vetëm një detyrë, sado që nga ndonjëherë nga disa në mënyrë të pavetëdijshme. Edhe këtu hetohet dora e Shqipërisë. Shëndet.
RIFAT MURIQI: DEMONSTRATA E ’81-it, NJË ENIGMË QË DUHET ZGJEDHUR
Pjesa e dytë(II)
- Duke mos dashur që ta lëndoj askënd, as ata të këqinjët, sepse po të mos ishin ata, rrugëtimi i vështirë gjerë tek liria nuk do ta kishte kuptimin që e ka sot, edhe pse amortizimi nga ata, që nuk bën asgjë, pasi përfundoi lufta, ishte aq brizant sa po të mos shkruhet tani nga të gjallët, që po iu ikë hija ngadalë historia do të duket disi artificiale.
Edhe pse gjatë këtyre ditëve që heshta, pas aq shumë viteve heshtje, u luajt një lojë e heshtur e disa akterëve që nuk i kontestoj si pjesëmarrës, por i mohoj si organizatorë të demonstratave të mars – prillit 1981. Këta që folën gjerë më sot edhe nuk do të më pengonin sikur qasja e tyre të ishte pak më pragmatike, duke provuar që tabloja e ngjarjes të kishte një fabul dhe shtjellimi të mos ishte aq artificial. Duke u frikësuar se hapja e dosjeve të shumë shteteve, jo vetëm të shtetit shqiptarë, jo që do ti intrigonte demonstratorët si pjesëmarrës, por do ti trajtonte si të painformuar, ose thjesht si vullnetarë (që ato ditë kanë qenë afër gjysmë milioni njerëz) që në një apo në ndonjë mënyrë tjetër kanë demonstruar.
Qasja ime ndaj shkrimit të para dy javëve nuk ishte se çka sot dijë, por ashtu siç më është ofruar mua ato ditë të vitit 1981, në vorbullën e ngjarjeve të furishme. Andaj që të vazhdoj me historinë time, sado naive për atë kohë, por disi e kapshme për sot, do ta përshkruaj çka dijë për ato ditë duke mos u marrë me asnjë të “keq” që mua nganjëherë më nxitë neverinë, sepse ende disa i takojë ose dëgjojë për ta, që ende diku në hierarkinë e shtetit tonë punojnë dhe pa pikë turpi sillen sikur në këto hapësira nuk ka ndodhur asgjë.
Nuk dijë pse i përmenda, por që në ato vitet e brishta të ishe aq injorant për të dënuar të gjithë ata të rinjë që vetëm për një fjalë goje, gjerë me 15 vite burg i dënonin. Të ngriheshe kundër të drejtave legjitime të vetvetes, ku më tragjikja është se disa që tani pas lufte udhëheqnin me shtetin, janë nga ata që kanë udhëhequr edhe atëherë me shtetin. Sot nuk dua të merrem me ta dhe të bëmat e tyre, nuk dua të merrem as me ndodhitë që i paraprinë, përcollën dhe pasuan ngjarjet e mars-prillit 81, por do ti përmendi që nesër kur dosjet të hapen të paktën dikush të jetë pak më afër së vërtetës.
* * *
Po e filloj me 1975-tën, me “Mosnënshkrimin e Kartës së Helsinkut nga Shqipëria”, përgatitja e planit sekret të koduar si “Shpërthimi”, vdekja e Josip Broz Titos, aktiviteti i profesorëve të Shqipërisë në Universitetin e Prishtinës, identifikimi i njerëzve të sigurt për veprimtari ilegale të organizuar nga Sigurimi i shtetit shqiptarë. Duke mos e anashkaluar aktin suprem të shtetit shqiptarë, “Përkrahja me arsyeshmëri që Kosova të jetë Republikë mu në vlugun e demonstratave për kurajë”. Fillimi i konsolidimit të faktorit politik patriotik, si brenda por edhe në diasporë, krejt ky një organizim dhe sukses i faktorit Shqiptarë. Por, ndryshe nga e planifikuara, nga 1 qershori i vitit 1981 fillon intervenimi i perëndimit, interes ky që fillimi i rënies se komunizmit të ndodhë në Jugosllavi. Në anën tjetër pasoi intervenimi i Paktit të Varshavës, që shkatërrimi i Jugosllavisë të mos ndodhë, duke u frikësuar nga efekti domino.
Tradhtia!
Tradhtia e parë, ndodhi me distancimin e strukturave udhëheqëse politike shqiptare në Jugosllavi nga kërkesa për Republikë në krye më Fadil Hoxhën.
Trinomi titist: Fadil Hoxha, Veli Deva dhe Ali Shukria.
Trathtia e dytë ishte zgjimi i lobit informbyroist, si roje ideologjike, anti Mehmet jo vetëm në shqipëri por në krejt lobin komunist, duke e vënë Enverin para aktit të kryer për ruajtjen e substancës shtet, që të tërhiqet plani sekret “Shpërthimi”. Por me që Mehmet Shehu nuk u pajtua, për gjashtë muaj zgjati lufta e brendshme, që do të shpie gjerë tek nata tragjike e 18 dhjetorit, ku gjithçka do të merr tatëpjetën, ku fituan Informbyroistët dhe Enveri mbeti vetëm. Një ditë kur të hapen dosjet do të merret vesh se sa shumë të ardhur kishte atë natë në Tiranë, pro dhe kundër Mehmetit. Kishte ndërkombëtarë por edhe shqiptarë të Kosovës që kishin ardhur gati si me protokoll zyrtarë. Të nesërmen, disa Shqiptarë të Kosovës që nuk kishin problem me shtetin Jugosllavë e që punonin për ta, kaluan kufirin legal për në Mal të zi, kurse disa që duhej që gjithsesi të ishin në Kosovë kaluan ilegalisht dhe të nesërmen arritën në Prishtinë. Për dy ditë Prishtina e mori vesh historinë.
Tradhtia e tretë, ishte vrasja e elitës së diasporës kosovare (Vrasja e Jusuf e Beradhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë – Sh.B) , vetëm një muaj pas vdekjes së Mehmetit, duke tentuar që edhe ato pak fije të organizimit të shkatërroheshin. Siç duket këtu kemi të bëjmë me një diversion klasik të Luftës së Ftohët, ishte kërcënimi më serioz që nga Lufta e Dytë Botërore që bëhej drejtpërsëdrejti nga Rusia.
Tradhtia e katërt, përgatitja e grupeve UDB-ashe që nën maskën e patriotizmit shqiptarë të shkatërronin frymën patriotike në diasporë.
Këtu, tendenca për tradhtinë e katërt ndoshta do të kishte sukses po të mos intervenonte Shërbimi Inteligjent Shqiptare dhe Ibrahim Kelmendi, një bohem politik që sfidoi të gjitha kohërat dhe rrëzoi të gjithë të kamufluarit, (me siguri jo krejt merita e tij), që të ngulitej mendësia tek shqiptarët që sado të organizuar të jemi, Jugosllavia është e fort. Pra, po të mos ishte Shërbimi Inteligjent Shqiptarë, Ibrahim Kelmendi, Hidajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Azem Syla, Adem Grabovci, Muhamet Kelmendi, Bedri Zeneli, Hashim Thaçi dhe disa të tjerë, (por jo shumë, sa folet sot), brenda dhe jashtë shtetit, që e vazhduan me fanatizëm rrugëtimin e lirisë, nuk do të ishim këtu ku jemi.
Me që këto ngjarje dhe këta personazh e tejkalojnë kapacitetin tim të njohurisë, për ti shtjelluar unë, dua të kthehem me naivitetin tim aty në pranverën e vitit 1981 që ta shpjegoj aq sa di që dikujt ti ndihmoj që ta nxis për “Shkrimin e fillimit”.
* * *
Që të filloj aty ku në shkrimin e parë vetëm pak e preka demonstratën e 26 marsit me aktin luftarak të Rexhepit dhe Xhemajliut dëshmojë se pas 11 marsit orientimi i dy “Grupacioneve inteligjente” ishte që demonstratën ta orientonte në interesat e veta politik. Shërbimi Inteligjent Shqiptarë krijonte situata që Lideri i krijuar të mbrohet gjerë sa lëvizja studentore të orientohet në kërkesat politike, kurse shërbimi inteligjent i shtetit Jugosllavë tentonte që Lideri (Ali Lajqi) të shkatërrohet dhe që Lëvizja studentore të orientohet nga kërkesat sociale duke i shpërndarë nëpër salla dhe fakultete, që situata të mos eskalojë. Dhe si për çudi 26 marsin si ditën “D” e kishin vendosur të dy agjencionet inteligjente, nëse guxoj ta quaj kështu këtë ditë. Jugosllavët, që të mos ndodhë asnjë trazirë, sepse ishte dita kur “Stafeta e Rinisë” do të vinte në Prishtinë, e që simbolizonte “Bashkim vëllazërimin”. Kurse nga Shqiptarët, që gjithsesi të ndodhte, për 15 ditë luftë nervash, tendosjeve dhe aktiviteteve të ndryshme, edhe subversive (tendenca e kidnapimit ose eliminimit e Ali Lajqit).
Në kundërshtim të zjarrit që e mbartnin Jugosllavët përmes stafetës në mbarë Jugosllavinë, studentët e ndezën zjarrin shqiptarë në qendër të studentëve që të jetë simbol i rezistencës ndaj atiJ “Vëllazërim Bashkimi” të rrejshëm. Ruhej Ali Lajqi, ruhej zjarri dhe përgatitej “Dasma” siç filluan ta quajnë disa ato ditë, kurse në anën tjetër tentohej që përmes grupeve jo formale të studentëve dhe profesorëve titist të orientohen në kahjen tjetër që kërkesat për të drejtat sociale të amortizohen gjatë shpërndarjes nëpër fakultete, dhe situata të mos eskalojë.
- Prishtinë, 1 Prill 1981 -
Dita “D” erdhi, Lideri u ruajt kurse kërkesa që do të shpalosej por nuk dihej nga kush, nuk do të eskalonte në kërkesat për bashkim me Shqipërinë, kërkesa e nivelit më të lartë do të ishte Kosova Republikë. Aq të ndërgjegjshëm ishin studentët atë ditë, sa që kur dikush tentonte ta përziej si parullë “Enver Hoxhën dhe Shqipërinë” ndodhte që edhe rrihej si spiun. Atë ditë u ndan të dy taborët me linjë, që nuk do ti bashkoj kurrë asgjë. Të gjitha njësitë speciale nga krejt Jugosllavia grumbulloheshin që ta mbrojnë Stafetën e Rinisë, ku në numër ishin më shumë se sa kur ruhej Titoja, kurse studentët brenda konvikteve grumbulloheshin nga të gjitha anët gjerë sa shpërthyen. Atë ditë Lideri, Ali Lajqi, që do të mbetet në kujtesën e historisë, kreu detyrën me përgjegjësi, kurse rojet për rreth përveç disa të paktëve që ishin me të, ishin djemtë dhe vajzat rugovase, (një pjesë e atyre të vetëdijshmëve që i ceka në shkrimin e parë, të cilët mund të shihen në fotot e pakta që i ka bërë pushteti i atëhershëm). (Shikoni në fund të këtij studimi fotografitë e bëra nga udbashët – Sh.B)
E tërë kjo demonstratë që kishte të gjitha premisat e një organizimi perfekt nuk do të mbetej e fuqishme, aq sa sot është, nëse në momentin kyç të mos intervenonte Xhavit Haliti me shokë për të demantuar përfoljet e të infiltruarëve në mesin e studentëve se po të demonstrojmë vetëm në hapësirat e konvikteve nuk do të sulmoheshim nga policia, kinse nga një konventë se policia nuk ka të drejt të intervenoj, (krejt kjo gënjeshtër që përdorej gjerë sa të largohej Stafeta e Rinisë nga Prishtina) se e vetmja mënyrë që të internacionalizohet kërkesa “Kosova Republikë“ është që të shpërndahen demonstratat në krejt qytetin. Të tri tentimet për të depërtuar drejt qëndres së qytetit dështuan, por efekti veç ishte arritur, lajmi se studentët që kërkuan Kosovën Republikë u shpartalluan mizorisht nga falangat Jugosllave, gjerë në mesnatë arriti tek të gjitha familjet e Kosovës. Sado që pushteti mundohej të bllokonte çdo informatë. Pos Ali Lajqit d (që e kreu detyrën e vet sepse tek familjet shqiptare mbërriti kushtrimi se fëmijët atje në Prishtinë, Serbia po i trajton mizorisht), Trendelinë Lëbenishta dhe Jashar Quka (Hajdaraj) atë ditë treguan vetën. Këtu nuk do ti ceki të gjitha torturat që bëri UDB-ja Jugosllave atë natë dhe tri ditë rresht, një golgotë ku kërkoheshin organizatorët. Sa më shumë që zgjaste heshtja zyrtare për demonstratën dhe të burgosurit, sepse tanimë Ali Lajqi cilësohej si hero kombëtar, aq më tepër ngrihej revolta gjithëpopullore. Këtu mbyllet perdja e 26 marsit, sepse po të tregojë gjithë historinë e asaj dite në ngërçin e mesit të konvikteve do të duheshin shumë faqe libri.
1 Prill 1981
I tërë skenari ishte përmbyllur. Populli e kishte pranuar kërkesën “Kosova Republikë”, me që elita politike e kundërshtonte, duhej që të detyrohej kjo udhëheqësi e shqiptarëve të Kosovës që ta përkrahnin kërkesën. Por, për këtë duhej që edhe klasa punëtore së bashku me studentët kërkesën në formë të Peticionit ti dorëzohej Kuvendit. Edhe kjo iniciativë, vetorganizim ose ide e grupeve Ilegale, dikush mund të thotë. Do të kisha dëshirë edhe unë që kështu të ishte, por nuk ishte. Qendra e qytetit ishte aq e barrikaduar nga forcat e sigurisë Jugosllave sa tentimet për të arrirë atje dështonte, sidomos nga ana e Obiliqit ku klasa punëtore ishte më e vetëdijshmja. Këtu nuk mund të mos e përmendi një njeri, që deri më tani nuk njihet në analet historike. Është ky Bekë Beka, nga i cili ishte kërkuar që të njofton të sigurtit (ata që nxiten demonstratat e nxënëseve në Obiliq), një natë para demonstratës së një prillit, (sa më duket njëri prej tyre ishte i vëllai i tij). Kurse, sa i përket punëtorëve të Amortizatorëve, Tjerrtores dhe Ramiz Sadikut, nuk e dijë, e dijë që dikush e dinë, duhet që ta dijë kështu siç e dijë edhe unë. Punëtorët që vinin nga rruga e Fushë Kosovës, me që ishin të penguar nga forcat e mëdha policore që ishin të vendosura në udhëkryqin e Universitetit për tu drejtuar për në qendër mbërrin gjerë te mensa e studentëve, dhe në atë udhëkryqin e dytë filloi dyndja nga të tri anët, kurse nga një anë barrikada e policëve që ishin aq shumë, dukeshin aq shumë. Por, që demonstrimi mos të filloj aty, që pastaj ajo masë të shpërndahet duke demonstruar siç ndodhte me punëtorët e Obiliqit në anën tjetër të qytetit, me gjeturinë e Osman Dinaj që unë e quaj hero të kësaj dite, së bashku me Arif Ademaj dhe natyrisht mua, formuam pykën në mesin e policëve, dhe masa aq e madhe që vinte pas neve nuk pyeti më për policinë që e humbi kuptimin si pengesë.
Nga këtu u nisën gati të gjithë të vetëdijshmit që kishin demonstruar rreth e rreth qytetit me 11 mars. Nëse lexuesi e ka hetuar se gjithmonë them se me shumicën nga këta të vetëdijshmit nuk jam takuar, por edhe me ata që shpesh takohemi, por këtë që e them kurrë me asnjërin nga këta nuk e kam diskutuar. Këtu flas në vetën e parë që ta kundërshtoj prononcimin e disa fytyrave eminente të historisë shqiptare, si pjesëmarrës, se asnjë shërbim inteligjent nuk ka marrë pjesë në organizimin e demonstratave të vitit 1981. Mbrëmja errej dhe demonstrantët ishin virtualisht pronarët e Prishtinës, por edhe të Kosovës. Flitej hapur, festohej, edhe pse të gjithë e dinin se kordoni policor tani më nga jashtë shtrëngohej dhe do të pëlciste, dhe ashtu ndodhi, filloi dhe nuk përfundoi për tri ditë duke u vra, plagosur dhe burgosur me qindra protestues, të cilët me ngulm mundoheshin që ta marrin qendrën e qytetit, edhe pse e besonin që nuk do ta arrinin, sepse e tërë Jugosllavia ishte në Kosovë.
2 Prill 1981
Këto pamje të dy prillit i kam më të kthjelltë sepse si shikues nga kati i katërt i një ndërtese afër fabrikës së tullave shihja pjesën më kryengritëse të asaj dite, prej postës së vjetër e gjerë tek xhamia e Llapit. Meqë për të dytën herë në mbrëmjen e një prillit isha i plagosur në këmbë, 2 prilli ishte dita më e dhembshme e jetës sime, ku nga dritarja e mjegulluar nga lotët shihja fëmijë duke vdekur në rrugët e Prishtinës. Jugosllavia që nga ajo ditë e kuptoi brishtësinë e sajë, kurse populli i Kosovës kuptoi se politikanët kosovarë ishin që të gjithë tradhtarë, të cilët nga mungesa e guximit që ta përkrahin popullin e vetë, duke shkelur mbi gjakun e të rinjëve u ngutën që ta shanin Shqipërinë. Sepse e dinin se Shqipëria ishte ajo që shqiptarët i nxiste. Ata e dinin, disa prej tyre që ende janë gjallë, ende e dinë, besoni që janë shumë, më shumë se sa që ne mendojmë, të cilët kanë qenë të shtrirë në tri nivele, atë të Kosovës, në nivel Federativ dhe në nivelin ushtarak jugosllavë, por më kryesorët, Fadil Hoxha dhe Mehmet Maliqi, aq shumë gjak kanë në duart e tyre sa Makbethi nuk do të mund ti lajë kurrë.
Aq mirë u shpërnda duke u bërë kërkesë gjithë popullore, Kosova Republikë, sa që tani Shqipëria kishte me kënd të fliste dhe kishte kënd ta mbronte përmes autoritetit zyrtarë të Shqipërisë, që e filloi zyrtarisht me 17 maj.
* * *
Si rezyme që askush të mos paragjykojë, duke hapur një derë të vogël për një histori të madhe. Edhe pse e di që të ndezët zjarri në drutë e thata është lehtë, por aq mirë skenari ishte i punuar sa me lehtësi të gjithë aktorët e luajtën rolin e vetë. Edhe ata që janë gjallë e luajnë ende këtë lojë gjerë në bashkimin kombëtar.
Shkrova për një enigmë që duhet zgjedhur, sepse tani më shumë se kurrë duhet dëshmuar se Shqipëria, si shtet i organizuar, ka pasur dhe ka në projektin e vet strategjik planin e bashkimit kombëtar, ka pasur dhe ka struktura të organizuara, që kanë punuar dhe punojnë për këtë qëllim. Duhet dëshmuar se nuk është edhe një veprimtar politik dhe ushtarak i përmasave organizative që nuk është takuar me atë kërkesë, atë ndihmë dhe shtytje për veprim. Duhet dëshmuar se rrallë ka veprimtarë politik dhe ushtarak që në mënyrë direkte, përmes të afërmve nga Shqipëria ose ndërmjetësuesve që më se paku një herë nuk ka marrë kërkesë për ta kryer një detyrë të caktuar drejt bashkimit Kombëtar. Zyrtarisht e krejt ky rrugëtim ka filluar me mos nënshkrimin e Kartës së Helsinkit dhe kjo rrugë edhe kësaj dite vazhdon. Këtë e din politika ndërkombëtare, edhe Serbët e dijnë. Sado që disa heshtas për mes dyerve anësore provuan të dëshmojnë për mos prezencën e shtetit shqiptarë në ditët e mëdha të vitit 1981, dëshmoj se Bashkimi kombëtar do të ndodhë atëherë kur ta organizon Shqipëria që nuk është e largët si ditë. Fatmirësisht në Kosovë ka shumë njerëz që e dinë. /FUND/