Zymi, që është diku në mesin e Hasit të Kosovës, është vis i thatë – vend shkëmbor – me ngjyrë guri – me ngjyrë thatësie. Lartësia mbidetare e Zymit është 600m në qendër të fshatit deri në 665m në Kodrën e Bajrakut.
Etimologjia e emërvendit Zym rrjedhë nga gjuha latine Sumbi, që në gjuhën shqipe do të thotë i përhimët, diçka që i përngjan ngjyrës së gurit. Emërvendi shkruhej Sumbi, Symbi, Zybovici, Zymb etj. Pra, Sumbi përmendet në hartën “Carta della Grecia di Nicola Sofiano” (Veneci, 1566), kurse Matej Mazrreku në vitn 1760 e shkruan Symbi.
Zymi i quajtur edhe Zyma, njihet edhe nga një vendbanim dardan i periudhës së hekurit, që ishte në mes të fshatrave Ramajë të rajonit të Hasit e të Vlashnjes (në afërsi të Zhurit) të rajonit të Lumës, që megjithatë ato konsiderohen vendbanime të afërta me Zymin e sotëm. (R. S. “Territor nga periudha parahistorike si Ramaja, Peja, Vlashnja”, “Bota sot”, Prishtinë, 14 gusht 2000, faqe 29). Edhe Patër Emiliusi, prej Clessit të Italisë, në librat e pagëzimit, të kurorëzimit e të vdekurve, emërvendin Zym e shënon me Symbi (4 shtator 1852) dhe Sumbi (12 shtator 1852).
Po ashtu, në disa dokumente të administratës osmane, sipas defterit të vitit 1571, shkruhej edhe Zymbofici apo Zybofici (Nikollë Kërhanaj “Abetarja e Zymit” /monografi/, Shkolla fillore “Shtjefën Gjeçovi”, Zym, 1997, faqe 21).
Zymi përbëhet nga shtatë lagje (Voshi, Çollaku, Kërhani, Lumezi, Prekpali, Berisha dhe Tomëreci), që shtrihen në shtatë kodrina, ndryshe njihet edhe si Roma e Vogël, pasi që edhe Roma e Italisë shtrihet në shtatë kodrina (Palatin, Aventin, Kapitolin, Keliusin, Viminalin, Eskvilin dhe Janikulin), që simbolizojnë shtatë mrekullitë e botës (Muri kinez, Qyteti i vjetër Petra (në Jordani), Kryqi i Shpëtimtarit në Rio de Zhaneiro (në Braliz), Maçu Pikçu (Peru), Taxh Mahall (Indi), Koloseumi në Romë (Itali) dhe Çiçen Itsa (Meksikë), përkatësisht simbolizojnë Yllin e Davidit, që bënë përshkrimin dhe pajtimin e dy anëve të kundërta të jetës (qiellit dhe tokës, shpirtit dhe materies, dritës dhe territ, natës dhe ditës, mashkullit dhe femrës, kohës dhe hapësirës, dhe të dukurit dhe të padukurit të botës), e që të gjitha këto identifikohen me numrin shtatë – gjashtë cepat dhe mesi i Yllit të Davisit, apo shtatë ditët e javës, që simbolizojnë astrologjinë e shtatë planeteve (Saturni, Marsi, Venera, Jupiteri, Hëna dhe Mërkuri, me Diellin në mes), e kështu me radhë (Shefki Stublla “Komunikimi muzeor II”, Druckart, Prishtinë, 2013, faqe 276-277).




