Quantcast
Channel: Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Përgjigje Kryepeshkop Anastasit mbi origjinën dhe diskriminimin tim fetar

$
0
0

Nga Arben Llalla

 

Më në fund, mbas thirrjes sime, kryepeshkop Anastasi urdhëroi zyrën e shtypit të KOASH-it, të nxirrte një trakt urrejtjeje kundër meje, me shumë mundësi të formuluar nga vetë ai, pasi një tekst të tillë të ulët, ata që e njohin dhe e jetojnë realitetin shqiptar, nuk mund ta shkruajnë kurrë. Plus që nga gabimet trashanike ortografike, dhe sintaksa e dobët në shqip, duket që teksti është përkthyer nga greqishtja me shpejtësi dhe panik, gjë që e kam të konfirmuar edhe nga burimet e mia brenda KOASH-it. Meqë asnjë tekst zyrtar nuk del pa miratimin e primatit, unë do t’i përgjigjem personalisht kryepeshkop Anastasit, si hartuesi apo miratuesi i reagimit të KOASH-it kundër shkrimeve të mia.

Komunikata juaj hirësi është e mbushur me gënjeshtra, dhe meqë ju më akuzoni mua për manipulim të të vërtetës, le të shohim të paktën se kush ka manipuluar më shumë, pasi mua si person, edhe mund të më lejohet ndonjë pasaktësi, edhe pse nuk evidentohet asnjë e tillë, por një komuniteti fetar, në një deklaratë zyrtare, kjo i shkakton një dëm të rëndë publik dhe cënon rëndë besueshmërinë tuaj si institucion.

Gënjeshtra e parë, unë nuk jam “banues i Tetovës”, ku jetoj përkohësisht, por banor i regjistruar i Elbasanit dhe shtetas shqiptar, ashtu si Anastas Janullatosi, nuk është banor i Tiranës, por i Athinës, dhe shtetas grek. Njerëzit udhëtojnë dhe punojnë në shumë vende, por koncepti i banorit rezidencial është i ndryshëm, ndaj para se të dezinformoni publikun, mësojini mirë termat juridiko-administrativë, se pastaj do detyrohem t’ju jap leksione edhe në këtë fushë.

Gënjeshtra e dytë, “me origjinë myslimane”. Kush jeni ju dhe me ç‘autoritet përcaktoni origjinën time fetare? Unë mund të isha edhe me origjinë hinduiste apo ateiste, por kjo nuk ma heq të drejtën të shprehem si studiues dhe gazetar edhe për çështje të ortodoksisë. Ju i diskriminoni njerëzit prej origjinës, kjo është një gafë idioteske shumë e rëndë, këtë argument e ka qejf mesjetari Janullatos dhe e përdor sa herë që gjendet në vështirësi dhe s’di ç‘të thotë. Unë jam me origjinë bektashiane dhe shumica e fisit tim, përfshirë paraardhësit, janë ortodoksë të pagëzuar kanonikisht, kjo më bën me origjinë të dyfishtë, pra me origjinë bektashiane dhe ortodokse. Familje me besime të përziera ka me mijëra në Shqipëri, hirësi, këtu nuk jemi në Greqi. Keni çerek shekulli si “shqiptar i vogël” dhe nuk na ke njohur akoma si komb. Unë jam besimtar, nuk jam identifikuar me asnjë fe (beliving but not belonging) dhe nuk ia kam dhënë askujt autoritetin dhe aq më pak ju që nuk e keni prej asnjë burimi, të ma përcaktoni besimin tim fetar. Më vjen keq ku e keni katandisur nivelin e gjuhës me të cilin flet një institucion i respektuar siç është KOASH-i.

Gënjeshtra e tretë, “asnjë ortodoks nuk flet për komunitet tjetër”. Jo më larg se Krishtlindjet e kaluara, vetë kryepeshkop Anastasi, me origjinë ortodokse, për të përdorur terminologjinë tuaj, në intervistën dhënë ERT1, e cilësoi islamin, si sistem politik, Profetin Muhamed si udhëheqës ushtarak dhe Kuranin e Shenjtë, si libër që ka vargje që mbështesin dhunën. Dhe askush nuk doli e t’i thoshte që ti, jomyslimani s’ke të drejtë të na japësh leksione, pikërisht se ky është një argument prej idioti. Ja pra, vetë ju, hirësi, e keni bërë këtë gjë, keni komentuar fe të tjera, madje ju keni dhënë edhe mësim Islami në Greqi, dhe askush nuk doli t’ju thoshte që meqë jeni me origjinë ortodokse, nuk keni të drejtë të studioni dhe komentoni mbi islamin. Ndaj dhe unë, si studiues, nuk i marr leje askujt dhe aq më pak juve, që të studioj dhe komentoj mbi ortodoksinë shqiptare, edhe t’ju bëj leksione madje, pse jo, kur ju shmangeni nga kanonet, ligjet dhe historia. Nëse ju gjeni ndonjë gabim në leksionet e mia, m’i thoni, por nuk mund të hidhëroheni kur kuptoni se ka edhe të tjerë që jua njohin ligjet, po aq mirë sa ju, që edhe pse i njihni, nuk i zbatoni, por i shkelni sistematikisht deri në përdhosje.

Gënjeshtra e katërt, “unë helmoj harmoninë fetare”. Gafë e rëndë, meqë unë nuk i përkas asnjë komuniteti fetar, nuk kam si ta helmoj harmoninë mes feve, ndoshta hirësia ngatërron helmin që i shkakton në shpirt zbulimi i të vërtetave, por në këtë pikë nuk ndihem fajtor. Madje as urrejtje fetare nuk mbjell, mbase unë këto të vërteta jua kam thënë dhe do t’ua them, me shumë respekt dhe dashuri.

Gënjeshtra e pestë “unë prokuror që mbroj klerikët”. Së pari, rregulloni konceptet se avokati mbron, sa për prokuror, ndëshkues e inkuizitor, kemi e na tepron vetë Janullatosi. Unë po, jam avokat, por jo i atë Ilias, siç e shpjegova dhe në replikën ndaj tij, por i ortodoksisë shqiptare, i klerikëve të nëpërkëmbur dhe të trembur për bukën e gojës dhe i të drejtave të çdo njeriu për t’u trajtuar me dinjitet. Nëse kjo s’ju pëlqen, nuk është problemi im. Mos jetoni në geto, por në shoqëri të hapura.

Gënjeshtra e gjashtë, “Janullatosi mban me bukë atë Ilian”. Ju s’i latë gjë pa përmendur të shkretit prift, që nga babai i vdekur, e deri te gjyqet kundër tij, dhe tek buka e fëmijëve, që po ia zini me paturpësi prapë në gojë në këtë deklaratë. Anastas Janullatosi nuk i ka dhënë lekë nga xhepi, atë Ilias, por lekë të kishës, ndaj çdo privilegj dhe lehtësi, klerikët e kanë nga kisha e tyre, që patjetër e ka për detyrë t’i mbështesë se i ka punonjësit e saj. Argumenti është aq i trashë, sa nëse për shembull, ushtarakët apo arsimtarët, do t’i mbështeste shteti me shtëpi apo pensione, në deklarata zyrtare të thuhej se ata i mban me bukë, kryeministri. Idiotësia juaj këtu kapërcen çdo kufi.

Gënjeshtra e shtatë “Janullatosi shëron plagë shkaktuar nga një qytetar joortodoks vlonjat”. Tani më duhet t’ju them të shëroni sëmundjen tuaj, hirësi. Qytetarët shqiptarë nuk mund t’i klasifikoni në ortodoksë dhe jo të tillë, se është e turpshme, për të mos thënë patologji e mbushur me urrejtje. Nëse qytetari jua ka rrëmbyer pronën, ju duhet ta denonconi, jo të na shëroni plagët me drejtësi paralele, nëse ia keni shitur, denonconi atë që e ka shitur, jo ta diskreditoni publikisht. Plus që shuma që do paguani, është detyrim ndaj një vendimi gjykate, ju nuk po i paguani këto lekë si “terapi me qetësi”, por nga halli, pasi përmbarimi ju ka konfiskuar llogaritë bankare, ndaj i keni lënë edhe punonjësit gati dy muaj pa rrogë. Kjo është ta çosh KOASH-in me dashje në faliment dhe të terrorizosh njerëzit, që pa mua, ju merrni fund. Kjo nuk është sjellje e një njeriu human, por e një hegjemoni klasik mesjetar.

Hirësi, pozitiviteti nuk matet vetëm me mendimin e “mijëra besimtarëve”, por edhe me opinionin e shoqërisë sekulare dhe e komunitetit të studiuesve shqiptarë, brenda të cilit, deri tani, nuk është se gëzoni ndonjë admirim të madh. Ju jeni edhe vetë studiues, dhe nuk duhet ta anashkaloni këtë fakt, pasi për ju, mund të shkruhet sinaksari kur të shpalleni shenjtor (nëse nuk e keni shkruar vetë tashmë, siç bëtë me ikonat tuaja), por do shkruhen edhe studime shkencore, dhe njerëzit lexojnë më shumë këto të dytat, sot.

Meqë keni qejf epitetin “me origjinë myslimane”, më lejoni t’ju kujtoj hirësi, se ju njerëzit e kësaj origjine, i keni emëruar peshkopë, dhe së shpejti mitropolitë. Mitropoliti i Korçës, i Krujës dhe së shpejti i Elbasanit dhe i Apollonisë dhe së shpejti i Fierit, janë që të tre, “me origjinë myslimane”. Unë, shumë shpejt, si studiues joortodoks i ortodoksisë (mbase kriptoortodoks), i ngjashëm me ju, do të jap një shpjegimin tim, se pse ju i zgjodhët me qëllim këta njerëz, çfarë plani keni, ku synoni të arrini dhe ç‘surpriza të pakëndshme e presin së afërmi Ortodoksinë Shqiptare dhe Autoqefalinë e saj.

Dhe feja ime, pafeja ime, apo leja juaj, nuk do më pengojë aspak ta bëj një gjë të tillë. Kjo është një botë e lirë, ku secili shpreh pa frikë mendimin e tij, dhe diskriminimet apo traktet tuaja kundër meje, nuk më bëjnë asnjë përshtypje, madje më japin forcë e kurajo që të vazhdoj misionin tim, në mbështetje të shqiptarisë.

P.S. Shumën prej 23 milionë lekësh të rinj, mund ta gjeni kollaj, hirësi, mjafton të shisni makinat tuaja, BMw dhe Range Rover, se edhe të përdorura kushtojnë më shumë se aq. Varfëria e shqiptarëve ortodokse, nuk e toleron këtë nivel luksi.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Trending Articles