Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se autoritetet shqiptare kanë marrë masa në rast të një fluksi emigrantësh drejt Shqipërisë.
Në një intervistë për presitigjiozen “Wall Street Journal” Rama ka përsëritur se vendi ynë as nuk do të ngrejë mure, por as do të hapë kufijtë.
“Ne kemi bërë përgatitjet tona. Kapacitetet e vendit tonë janë shumë modeste dhe nuk do të mjaftonin për të përballuar fluksin. Ne jemi të gatshëm të të jemi pjesë e një plani evropian dhe ky ka qenë pozicioni ynë edhe kur Shqipëria nuk ishte një destinacion as në teori. Shqipëria e vetme nuk mund të jetë një zgjidhje. Jemi thjesht një pjesë e zgjidhjes Europiane.Ne jemi një vend i vogël krenar dhe ne nuk do të ngremë një mur vetëm sepse na e kërkojnë të tjerët. Ne gjithashtu e dimë se hapja e kufijve nuk do ta zgjidhte problemin”, thotë Rama.
Kryeministri i qëndron deklaratës së tij se për zgjidhjen e kësaj çështje duhet të ketë një plan të përbashkët europian.
“Ne kemi punuar me italianët që nga fillimi. Ne kemi një qëndrim të përbashkët: ne nuk hapim kufijtë dhe ne nuk ngremë mure. Ne thjesht duam një zgjidhje evropiane. Përsa kohë Europa sillet si një federatë egosh nacionaliste, shumë prej tyre “duan tua lënë nderin” pak vendeve. Kjo nuk do të funksionojë dhe ne nuk do të luajmë rolin e heroit sepse ne e dimë që kjo nuk do të jetë një zgjidhje”, shprehet ai.
I pyetur nëse Shqipëria do ta konsideronte mundësinë që të merrte disa njerëz nga Greqia për ta lehtësuar paksa, Rama jep këtë përgjigje:
“Nuk mund të ndihmojmë askënd (të vetëm), sepse nuk kemi mjetet ti ofrojmë lehtësim të tjerëve. (Por) nëse Europa ka një plan ne do të jemi pjesë e tij dhe ne do të bëjmë çfarë të jetë e mundur. Nëse behet fjalë për numra që do të shpërndahen sipas një plani evropian, ne do të ishim të gatshëm të marrim përgjegjësinë që na takon”, deklaron Rama.
DITA