“Kisha Ortodokse Shqiptare, një Histori Politike 1878-1937”, tashmë në një libër
“Kisha Ortodokse Shqiptare, një Histori Politike 1878-1937”, quhet libri me autor gazetarin Ardit Bido, i cili u promovua dje në prani të historianëve dhe studiuesve. Me parathënie nga prof. dr. Ferit Duka ky studim ka nisur 3 vite më parë dhe bazohet në arkivat shqiptare ato greke. “Libri trajton një histori deri në vitin 1937, mirëpo në të do të shohim se ka shumë përafërsi të së djeshmes dhe të së sotmes. Do të shohim në këtë libër se si Greqia tentonte që të fuste njerëzit e saj në Sinodin e Shenjtë të Kishës, sidomos për dy qarqet Gjirokastër dhe Korçë. Do të shohim se si tentonte të krijonte një gjyq kishtar me shumicë të emëruar nga patriakana, që fatkeqësisht u realizua vetëm para një muaji. Se si kur ndodhnin histori patriotizmi shqiptare, reagimi i parë i shtetit grek ishte mbyllja e kufijve, siç na ndodhi 3 vite më parë në Përmet. Se si tentonte që të hapte sa më shumë shkolla greke, nën maskën e kishës ç’ka fatkeqësisht mund të them se ndodhen sot. Se si drejtuesit kishtarë të huaj pretendonin, shtireshin se nuk dinin të flisnin dhe të predikonin në shqip. Se si tentonte të fuste përçarje ortodokse shteti grek mes komuniteteve fetare, por që në të gjitha rastet nuk ia arriti ta realizonte dot, falë një pune atdhetare të drejtuesve politikë ortodoksë të asaj kohe, si Koço Kota, Pandeli Evangjeli e të tjerë me radhë dhe falë klerikëve të asaj kohe”, u shpreh autori Bido. Prof. dr. Ferid Duka e ka quajtur librin një kombinim të historiografisë me shkencat politike. “Ky libër ka të bëjë me një problem esencial kombëtar, siç është problemi i Kishës Ortodokse, i historisë së saj dhe sidomos i kombëtarizimit, përpjekjeve për kombëtarizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare”, – tha prof. dr Ferit Duka. Historiania Nevila Nika tha se komuniteti ortodoks nuk gjendet vetëm në dy qytete dhe ky libër do të ndihmojë shumë të rinjtë për të njohur historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. “Ky libër mua më ka lënë një shije jashtëzakonisht të mirë. Unë vetë kam punuar me dokumente për historinë e komuniteteve fetare. Historinë e komuniteteve fetare tashmë e njohin të gjithë. Të gjithë flasin për prishjen e kishave dhe xhamive, por pasuria që ato ruanin brenda ishte dhe më e madhe sesa ndërtesa. Ka një përplasje shekullore me fqinjët tanë jugorë, veriorë dhe lindorë. Nga të katër anët kemi pasur probleme. Klerikët ortodoksë shqiptarë kanë ndihmuar dhe kanë kontribuar në çështjen tonë kombëtare. Ajo që të rinjtë nuk dinë dhe që po mundohemi t’jua transmetojmë, është se komuniteti ortodoks nuk është vetëm në dy qytete, por shumë më gjerë”, tha ish-drejtoresha e arkivave, Nevila Nika./Shqip