Quantcast
Channel: Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Martesat Gay, deri ku shteti mund të zëvendësojë natyrën!?

$
0
0

Nga Valentin Bruçaj

 

Sipas një direktive evropiane, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjitha ato që kanë si synim anëtarësimin në këtë bashkim, duhet të rregullojnë me ligj bashkëjetesën në mes çifteve të të njëjtit seks. Ka shumë shtete që, ndonëse në mes shumë polemikash, e kanë miratuar këtë ligj, dhe disa të tjera që pritet ta miratojnë. Për shoqëritë evropiane, revolucionet shoqërore nuk janë një fenomen i ri, çështje të ngjashme Evropa i ka kaluar edhe në vitet ‘60, me ligjin mbi divorcet apo me legalizimin e aborteve, që aq shumë ishin kthyer në një problem social, që në kohën kur u miratuan konsideroheshin totalisht si një tabu. Sidoqoftë, pavarësisht emancipimit të një shoqërie, çështjet morale vazhdojnë të mbeten çështje që zgjojnë polemika të ashpra brenda shoqërisë.  Në raste të tilla, për argumente kaq delikate, ku as Shteti dhe as shoqëria nuk janë në gjendje të marrin një vendim të prerë, pasi çdo vendim, në çdo rast, do të zgjonte polemika ose do të rezultonte si shkelje e të drejtave të individit. Meqë çështja është kaq delikate,  si e tillë duhet afrontuar, secili sipas ndërgjegjes së tij, në çdo rast, çdo mendim duhet të konsiderohet vetëm personal, larg çdo moralizimi, duke kërkuar të kuptojmë se çfarë është vlerë dhe çfarë është e drejtë personale. Duhet kërkuar një farë ekuilibri, në mes atyre që janë në favor të një ligji që rregullon bashkëjetesën mes çifteve të të njëjtit seks, dhe atyre që janë kategorikisht kundër.

 

Për të arritur një farë kompromisi në mes palëve, duhen marrë gjërat me radhë, duke stabilizuar se çfarë është e drejtë e secilit individ dhe çfarë nuk mund të konsiderohet si e tillë. Si fillim, duhet të kemi parasysh se homoseksualiteti ekziston që kur ekziston njeriu, që në lashtësi, në të gjitha kulturat. Nuk është nevoja të kujtojmë se personalitete shumë të rëndësishme historike, thuhet se jetonin seksualitetin  e tyre në mënyrë shumë të hapur, edhe brenda të të njëjtit seks. Pastaj më vonë të gjithë e dimë se, me lindjen e religjioneve, kjo filloi të konsiderohej sakrilegj, sa edhe sot, në disa shtete fetare homoseksualiteti konsiderohet krim dhe dënimi është shumë i rëndë, deri në dënim kapital. Paragjykimi, ose reagimi me dhunë ndaj një individi homoseksual në shoqëritë demokratike konsiderohet diskriminim, si shkelje e të drejtave të njeriut. Secili individ, ne Shtetin e së drejtës,  duhet të jetojë seksualitetin e tij sipas shijeve të tij personale, ekskluzivisht si një çështje private. Por siç ndodh shpesh, edhe në këtë rast, çështja ekstremizohet, në mes atyre që janë kundër dhe atyre që mbrojnë të drejtat e kësaj kategorie. Mbrojtësit e kësaj kauze, ndoshta edhe nga tendenca për të përshpejtuar reformën, duke humbur çdo ekuilibër, shpesh herë bëjnë konfuzion mes vlerave dhe të drejtave. Të jesh homoseksual është një e drejtë e secilit, por është ekstremisht e sforcuar të na transmetohet si një vlerë në mes vlerave të tjera. Kjo nuk është aspak e vërtetë, dhe nuk kemi pse të hezitojmë që ta  precizojmë një gjë të tillë, sa herë që në shoqërinë tonë të debatohet se ku mbarojnë vlerat në të cilat duhet të identifikohemi dhe ku fillojnë të drejtat e individit që duhet të mbrojmë.

Një ndër çështjet më të debatuara në shoqëritë perëndimore është edhe rregullimi me ligj i bashkëjetesave të individëve të të njëjtit seks, ose siç quhet me fjalë të tjera, martesat e jonatyrshme. Martesat e jonatyrshme, në thelb kanë qëllimin që të rregullojnë me ligj, bashkëjetesën ne mes dy individëve të të njëjtit seks, ose edhe një burri e një gruaje që duan vetëm të bashkëjetojnë.  Dy gra apo dy burra që kanë bashkëjetuar me njëri-tjetrin gjatë gjithë jetës së tyre, me sëmurjen e njërit prej tyre, ose me vdekjen e tij, nuk kanë gëzuar të drejtën ligjore që të qëndrojnë pranë partnerit ose të trashëgojnë pasurinë e tij. Në shumë raste, këta individë, me vdekjen e partnerit kanë humbur çdo të drejtë mbi kontrollin e të mirave materiale, si makinës, shtëpisë,  llogarive bankare etj., dhe kanë hyrë në posedim të këtyre pasurive, të afërm të partnerit që nuk jeton më, që gjatë gjithë jetës së tij e kanë detestuar në saje të shijeve të tij seksuale. Në këtë aspekt, është moralisht legjitime që këto kategori njerëzish të gëzojnë të drejtat të barabarta me të gjithë njerëzit e tjerë, dhe Shteti duhet të jetë garant në respektimin e tyre. Martesat e jonatyrshme nuk cenojnë aspak familjen tradicionale, pasi e njëjta gjë thuhej në rastin e reformave mbi abortin e divorcin. Nuk do të kemi më pak martesa tradicionale sepse shteti do të njohë me ligj lidhjet homoseksuale. Këto janë thjeshtë arsyetime moralistësh që në të vërtetë abuzojnë me fjalën familje.

 

Por Shteti, duhet t’i garantojë një kategorie njerëzish apo edhe krejt shoqërisë ato të drejta që nuk ja ofron natyra dhe ligjet e saj? Kjo pyetje të shpie te një tjetër problem brenda këtij problemi, që është akoma më delikat: Adoptimit të fëmijëve nga çiftet Gay. Nëse shteti e ka si obligim t’u garantojë të drejta të barabarta, të gjitha kategorive njerëzore brenda shoqërisë, nuk e ka si obligim t’u ofrojë këtyre kategorive atë që nuk mund t’ua ofrojë natyra dhe ligjet e saj. Kur dy burra, ose dy gra, vendosin të jetojnë së bashku seksualitetin e tyre, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se bashkëjetesa e tyre nuk është e natyrshme, dhe si e tillë duhet jetuar, duke pranuar të gjitha pasojat e saj të natyrshme. Që këto pasoja janë se një lidhje homoseksuale nuk mund të “prodhojë” fëmijë, dhe këto pasoja duhen pranuar pa pretendime. Supozohet se një lidhje homoseksuale, duhet të jetë lumturia që këta dy individ kanë kërkuar, (pse duhet të kërkojnë më tepër), dhe Shteti duhet t’u garantojë atyre që askush mos t’ua cenojë atë, edhe pse jo, t’ua njohë edhe me ligj. Por shteti duhet të jetë garant që këta individë mos të prishin lumturinë e një individi tjetër,  mos të kushtëzojnë jetën e një fëmije nesër, që ndoshta nuk do të kishte bërë të njëjtën zgjedhje po të kishte mundur të vendoste vetë. Sepse të kesh fëmijë, nuk është një e drejtë e sanksionuar me ligj, që shteti duhet t’u garantojë të gjithë qytetarëve. Fëmijët lindin në saje të lidhjes mes një gruaje e një burri. Fëmijët nuk caktohen me ligj qeveritarë për secilin individ.

Shoqëritë që ecin me ritme të shpejta drejt modernizmit të tyre, duhet të bëjnë kujdes që pretendimet e një kategorie mos të cenojnë të drejtat e një kategorie tjetër. Dhe në këtë aspekt, individët që mund ta pësojnë më shumë janë pikërisht fëmijët. Fëmijëve që nuk kanë pasur fatin të kenë një familje, Shteti duhet t’u garantojnë mundësinë që të jetojnë sa më të lumtur, të kenë nesër një familje, një Nënë dhe një Baba, por shteti nuk duhet të krijojë jetim të ri, për të plotësuar pretendimet e një kategorie, – që nuk mund t’i arrijë ato natyrshëm –  me anë të teknikave të reja “moderne” si për shembull “Mitrës me qira”.   Një fëmijë ka nevojë të lindë, të ketë një familje dhe të jetojë i lumtur,  jo të prodhohet që nesër të dalë ne treg dhe të mund ta posedojnë ata që ofrojnë më shumë. Nuk duhet të harrojmë se jo gjithmonë fëmijët kanë gjetur dashuri dhe ngrohtësi nga ata që nuk kanë qenë prindërit e tyre të natyrshëm, por që duhet të ishin sjellë si të tillë, duhet t’u kishin ofruar po aq dashuri e ngrohtësi.

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Trending Articles