Sheshi Planpalais i Gjenevës, gjatë këtij muaji do të jetë vendi më i preferuar i adhuruesve të futbollit.
Sikur herëve të tjera edhe kësaj here në këtë shesh është vendosur një ekran televiziv i përmasave të mëdha në mënyrë që t’u bëhet e mundur të gjithë dashamirësve të futbollit përcjellja e rrjedhës së Kampionatit Evropian “Franca 2016”
Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, që në numër konsiderohet si njëri nga komunitetet më të mëdha në këtë kanton sot i veshur kuqezi ka vërshuar hapësirat e këtij bulevardi.
Tubimi i mërgimtarëve tanë në këtë shesh ka qenë i arsyeshëm ngase skuadra e Shqipërisë, përherë të parë në historinë e saj po merë pjesë në një ngjarje kaq të rëndësishme sportive.
Siç e dimë të gjithë Shqipëria në këtë Kampionat ka debutuar kundër Zvicrës, në radhët e së cilës luajnë gjashtë shqiptaro-zviceranë.
Madje tepër rrallë ndodhë që në dy kombëtare të ndryshme të luajnë dy vëllezër njëri kundër tjetrit.
Ky short i paparaparë i ka përzier edhe emocionet e tifozëve shqiptarë ngaqë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi ,Valon Behrami e i riu i talentuar Shani Tarashaj të formuar në Zvicër, me të cilët të gjithë ndihemi krenar sot papritur janë gjendur kundër kombëtares shqiptare prej nga e kanë origjinën e tyre.
Pamundësia për t’i mbledhur në kombëtaren tonë të gjithë futbollistët më cilësorë që luajnë në Ligat e ndryshme të Evropës, e ka detyruar trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi, që të orientohet tek futbollistë të tjerë më me pak peshë që luajnë po ashtu në skuadra të ndryshme të Ligës së parë dhe të Dytë në Zvicër, Gjermani, Itali, Francë, Kroaci e Greqi.
Falë profesionalizmit të trajnerit Gianni De Biasi, edhe me këtë fond të lojtarëve u krijua një skuadër e qëndrueshme dhe stabile e cila në garat kualifikuese për pjesëmarrje në kampionatin evropian “Franca 2016” bëri befasi të këndshme duke mundur kombëtare me emër siç është ajo e Portugalisë në Lisbonë dhe duke lënë jashtë këtij evropiani danezët me traditë në lojën e futbollit.
Shqipëria në rrethana dhe kushte absolutisht të pakrahasueshme me ato të Zvicrës, edhe pse ka humbur sot kundër kësaj kombëtareje me rezultat 0:1 ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mirë Tifozët shqiptar të ardhur nga të gjitha trojet tona kanë përkrahur Shqipërinë si skuadër të zemrës së tyre ashtu si u ka hije.
Ata po ashtu kanë treguar mirëkuptim e maturi edhe ndaj shqiptaro-zviceranëve që kanë luajtur për Zvicrën.
Kurse pjesa tjetër e spektatorëve shqiptarë e mbetur jashtë stadiumit ”BOLLAERT-DELELIS” në Lens të Francës, e kanë ndjekur këtë ngjarje të rëndësishme nëpërmjet ekraneve të mëdha televizive. Anekënd botës ata janë prezantuar të matur në anim me çfarë kanë treguar se dinë të çmojnë vlera dhe të ruajnë miqësi me popujt e civilizuar të botës.
Miqësor dhe tejet të përzemërt karshi bashkëqytetarëve të tyre janë treguar edhe mërgimtarët tanë në Gjenevë të cilët nën tingujt e këngës dhe valles shqipe kanë përcjellur takimin Shqipëri-Zvicër 0:1. Të gjithë të mbledhurit në sheshin Planpalais të këtij qyteti me të përfunduar takimi janë shpërndarë qetë pa shkaktuar as eksesin më të vogël.
Një sjellje korrekte si kjo e kemi edhe detyrim sepse Zvicra është ajo që nga brumi i të mërguarve shqiptarë krijoi lojtarë cilësorë për vetveten, Shqipërinë dhe Kosovën.
Ky fakt i pamohueshëm si dhe ndihma e dhënë në shumë fusha të ndryshme nga ana e Zvicrës, na bënë që këtë humbje ta përballojmë më lehtë.
Nga kjo miqësi e vërtetë si shqiptarët ashtu edhe zviceranët janë fitues sepse falë këtij bashkëpunimi të sinqertë e miqësor ka kaluar koha kur kombëtaret e vendeve të tjera takimet me Zvicrën dhe Shqipërinë i konsideronin si rast për të përmirësuar golaverazhin e tyre.