Ne, nënshkruesit e peticionit mbështesim qëndrimin se mbishkrimi i periudhës osmane i rivendosur mbi portën e Kalasë së Lezhës, në vendin ku zakonisht themeluesit e kalave ose princat që kanë banuar në të vendosin stemat dhe mbishkrimet e tyre, cënon vlerat e saj historike si mbrojtëse e popullsisë së trevës, vend i betejave heroike dhe i sakrificave të mëdha në të gjitha kohët.
Kalaja e Lezhës konsiderohet një monument i rëndësishëm kulture, me vlera të jashtëzakonshme historike për kombin tonë. Objekti dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë qysh në shekullin IV para erës sonë. Kalaja e Lezhës gjendet në majë kodrës në 186 metra lartësi mbidetare, në lindje të qytetit dhe ka gjurmë të shumta ilire. Këtu e ka pasur rezidencën mbretërore Mbretit Gent; aty ai nënshkroi me maqedonasit marrëveshje për luftë të përbashkët kundër romakëve dhe prej aty u nis për betejën e fundit kundër tyre.
Kalaja ka qenë vendi ku ka banuar familja princërore e Dukagjinëve, e lidhur shumë me trevën dhe me të gjitha ngjarjet historike të Shqipërisë, duke qenë njëra ndër familjet më të shquara arbëre.
Kur retë e zeza të pushtimit osman kërcënonin me luftë shkatërrimin dhe asimilimin e qytetërimit shqiptar dhe europian, në mars të vitit 1444, u zhvillua Kuvendi Kombëtar ku lindi Besëlidhja e Lezhës, një lidhje politiko-ushtarake, si aleancë e princërve shqiptarë kundër pushtimit.
Kalaja për shkak të lidhjes së veçantë me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Dukagjinët ka një vend nderi në objektet e këtij lloj të vendit tonë.
Në Lezhë, me 2 mars 1444 u mbajt Besëlidhja e Lezhës që bashkoi shumicën e princave shqiptarë në rezistencën antiosmane që është konsideruar me të drejtë si periudha më e ndritur në historinë e shqiptarëve.
Në Lezhë, me 17 janar 1468 ka vdekur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu-Heroi Kombëtar i Shqiptarëve dhe qe varrosur aty, pas pushtimit, osmanët ia dhunuan varrin.
Riparimi i kalave ka qenë një praktikë e zakonshme gjatë Mesjetës, prandaj nuk praktikohet vendosja e pllakave me mbishkrime të riparuesve të shumtë. Çdo kala ka patur shumë herë dëmtime dhe, për rrjedhojë edhe riparime. Me siguri, kalanë e Lezhës e kanë riparuar dhe fisnikët Dukagjinë që e kishin seli të tyre.
Kalaja e Lezhës ka një emër të madh në historinë e Shqipërisë jo vetëm për shkak të madhësisë së saj, afërsisë me Krujën dhe Shkodrën, si dhe portin e Shëngjinit, por edhe sepse aty janë zhvilluar disa beteja të rëndësishme të arbërve, të cilat duhen përmendur dhe përjetësuar në një objekt muzeal brenda kalasë.
Në këto kushte, vendosja e një pllake me një mbishkrim të një fermani të sulltan Sulejmanit, një pushtuesi që ka gjakosur shqiptarët, e zbeh madhështinë e rezistencës shqiptare dhe njollos krenarinë që kemi ne për të.
Në emër të së vërtetës historike, ne nënshkruesit e peticionit kërkojmë heqjen e pllakës me fermanin e sulltan Sulejmanit dhe vendosjen e saj në muze.