Për shqiptarët në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, asnjëherë nuk do të ngrohin rrezet e diellit, përderisa nuk hapen dosjet dhe, populli ta kuptoj se, kush është “tradhtar e kush patriot”.
Për që kemi qenë , si komb historikisht të vonuar dhe në momente kritike të përçarë skajshmërisht, kjo veç sa dihet tashmë. Shqiptarët asnjëherë nuk arritën të qartësojnë kauzën e tyre, si agjendë të përbashkët, por ishin dhe vazhdojnë të jenë të përçarë skajshmërisht.
Në këtë shoqërinë tonë, nuk ka shanse, që një individ, të trajtohet si një qytetar i rëndomtë, i cili ka qëllimet e veta personale, dhe kolektive të projektuara qartë. Kjo vjen si pasoj e polaritetit të theksuar në shoqëri, i cili nuk pranon vijën e mesme, por i ndanë qytetarët në “ tradhtar ose patriot” varësisht si mbas projektit apo interesave ditore.
Nëse i trajtojmë rrjedhat historike njëqind vite e me tej, atëherë ndoshta mund të konkludojmë apo dhe t’i arsyetojmë ndasitë e mëdha si shkak pasoj e robërisë dhe skllavërimit shekullorë. Por për mendimin tim, sidomos pas mbarimit të luftës së dytë botërore e këndej. Shkaktare për ndasitë e mëdha, nuk është më mosdija, por është aktiviteti i qëllimshëm antikombëtar i grupacioneve të ndryshme, të cilat operojnë me direktiva nga jashtë.
Një pasqyrim i kësaj rrjedhimisht vërehet, në konceptimin e së kaluarës historike dhe, interpretimin e konferencave me rendësi ndërkombëtare për shqiptarët, në të cilat sistematikisht vërehet tendenca e armiqësimit të shqiptarëve me boten Perëndimore, duke e etiketuar atë si tradhtare të interesave shqiptare dhe si fajtorin rezervë dhe kryesorë për dështimet tona në vazhdimësi.
E terë kjo makineri është frymëzuar nga ideologjia komuniste –pansllaviste, e cila ishte e projektuar si një lloj doktrine shkombëtarizuese, shpeshherë të maskuara dhe me ideologji tjera, që për popujt e vegjël në tersi, e për shqiptarët në veçanti, të cilët e ndoqën më fanatizëm të plotë.
Filozofia e kësaj doktrine ogurzezë ishte polarizimi i shqiptarëve me boten Perëndimore dhe luftimi sistematik i atyre që mendojnë kundër kësaj ideje.
Kjo ndodhi edhe në kohen e luftës së fundit në Kosovë dhe në trojet tjera, ku popullit të pafajshëm, liridashës iu imponuan idetë përçarëse, të cilat nën maskën e idealeve dhe patriotizmit ndjekën agjenda të dyshimta.
Kjo gjendje vazhdon të mbizotëroj edhe sot në Kosovë dhe gjithandej. Shqiptarët nuk arrinë dot të çlirohen nga zinxhirët e robërisë mendore. Edhe sot, për shqiptarët nuk ka botë me kolorit ngjyrat, por vetëm bardh e zi. Edhe sot për shqiptarët, politika nuk është art i së mundshmes por është prerje cezariane, për mirë ose për keq. Edhe sot, politika tek shqiptarët, nuk konceptohet si një proces afatgjatë dhe historik, por edhe historia konceptohet si një proces individual, ku secili pretendon ta shkruaj vetë atë duke e vendosë vetën e vetë në maje dhe mbi të gjithë. Pra tek shqiptarët historia lind dhe përfundon me individin.
Ngjarjet e turpshme të cilat ndodhin kohëve të fundit, ku aktër kryesor janë “të zgjedhurit” e popullit, janë sinonim i gjithë rrjedhave historike. Për shqiptarët nuk ka projekte kombëtare politike, por ka politika interesash dhe inatesh, për realizimin e të cilave, janë të gatshëm të shkatërrojnë gjithçka. A ka edhe një shembull në botën demokratike, ku për të njëjtin komb dhe për të njëjtat interesa kombëtare, rrugët të jenë aq të kundërta, sa që bashkëpunimi të jetë i pamundur. Jo, nuk ka, Nuk ka një shembull të tillë. Prandaj mendoj që këtu po veprojnë forca të errëta të cilat këtë vend dëshirojnë ta orientojnë aty ku na dëshirojnë armiqtë dhe, rruga e vetme për ta ndaluar këtë trend, është hapja e dosjeve gjithandej, në mënyrë që të shihet çartë, kush për kë punon.
Duke kuptuar këtë realitet, atëherë mundemi dikujt t’ia ndalojmë aktivitetin politik, dikujt t’ia ndalojmë madje edhe të quhet shqiptar. Tek atëherë, mund të shpresojmë, që për ne frynë e njëjta frymë dhe se për ne bën dritë dhe ngroh i njëjti diell.