Quantcast
Channel: Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Islami politik, Shqipëria, “mjekërgjatët pantallonshkurtër”… Cila është zgjidhja?

$
0
0

Çdo shoqëri e përgjegjshme duhet të nxjerrë mësime nga masakra e Parisit. Çfarë po ndodh? Çfarë pritet të ndodhë? Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të tjerët, por mbi të gjitha për të ardhmen e vet?

Bedri Islami, gazetar, ekspert i çështjeve të Ballkanit dhe bashkëpunëtor i gazetës DITA mendon se institucionet në Shqipëri dhe Kosovë në mënyrë shqetësuese po i lëshojnë terren radikalistëve islamikë.

“Ne u kemi lëshuar terren mjekërgjatëve dhe pantallonshkurtërve, sepse kemi pasë droje nga egërsimi i tyre, nga lidhja që anë mes njëri-tjetrit për të qenë të dhunshëm, për të marrë primarin e për të bërë ligjin në jetën familjare, nga lindja e deri tek vdekja. Ne heshtim kur ata predikojnë hasmëri, e shohim si një çështje besimi, kur në të vërtetë besimi islam është krejt i kundërt me jetën, qëllimin e mizoritë e tyre.

Bedri IslamiBedri Islami

Ne kemi heshtur kur janë bërë të njohura publikisht lidhjet e lëvizjes vehabiste , ta zëmë në Kosovë, me struktura të posaçme të shërbimit sekret serb, që e përdorin këtë armë, sepse armë është, për të ngritur një vatër të re të krimit” – shkruan Islami sot në Dita

Ai thotë se Shërbimi Sekret shqiptar ka tashmë një rol kyç.

“Shefi i Shërbimit sekret shqiptar deklaron se janë 140 “luftëtarë” të ISIS nga shteti ynë amë, dhe shumë më tepër se kaq janë nga Kosova apo viset shqiptare në Maqedoni. Numërimi i atyre që kanë ikur për të qenë pjesë e luftës kundër nesh nuk është një detyrë statistikore për shefin e shërbimit sekret shqiptar, Ajazi. Këtë mund ta bënin edhe kryepleqtë.

Shërbimi sekret nuk është këtu për të bërë analizën e shkaqeve përse ikin njerëzit e përse vazhdojnë të ikin, por për të parandaluar këtë valë mizore, e cila, ashtu si zbriti në Paris, mund të jetë nesër diku tjetër  – thotë Islami.

Botuesi i gazetës TemA, Mero Baze ngre shqetësimin e islamit politik që kërkon tashmë hapa të vendosur ose, mendon Baze, “mund të na zhbëjë si komb, shumë më shpejt se sa mendojmë ne”:

Mero BazeMero Baze

“Shteti shqiptar duhet të tregojë dhëmbët duke forcuar legjislacionin e tij, duke pasur parasysh rrezikun e islamit politik, i cili duhet të ndëshkohet si fashizmi, me një kuadër ligjor që të ndalojë dhe propagandën fetare të tyre.

Shteti shqiptar duhet të marrë kontrollin e rreptë ligjor, mbi çdo tekst apo libër fetar që hyn në Shqipëri dhe duhet ta konsiderojë këtë çështje të sigurisë kombëtare. Ashtu siç licenson tekstet shkollore, ashtu duhet të licensojë dhe të kontrollojë në detaje çdo tekst fetar që predikohet në xhamitë tonë.

Me të njëjtën përgjegjësi, Komuniteti Mysliman shqiptar duhet të detyrohet me ligj të marrë kontrollin mbi çdo xhami ilegale në Shqipëri dhe të përjashtojë nga hierarkia e vet çdo hoxhë, i cili në vend të Kuranit, bën propagandë për islamin politik.

Islami politik është armiku ynë kombëtar dhe është një nga ato mekanizma që mund të na zhbëjë si komb, shumë më shpejt se sa mendojmë ne, nëse nuk merret seriozisht – shkruan Baze.

Shkrimtari Ben Blushi që ka prekur edhe më herët problemet e islamit politik, në një shkrim botuar në disa portale online shkruan se shpëtimi nga terrorizmi mund të vijë vetëm nga brenda Islamit dhe se ai duhet ndihmuar ta kuptojë këtë:

Ben BlushiBen Blushi

“Islami duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Kudo ku ai ka besimtarë duhet t’i edukojë ata. Të gjitha thirrjet e klerikëve islamë anembanë botës, deri sot, kanë qenë të pafrytshme për  të mos thënë që nuk kanë qenë të sinqerta. Ka mijëra fëmijë në gjithë Evropën, të cilët aktet e fundit në Paris i konsiderojnë si heroizëm. Ata rriten për  t’u ngjarë atyre që vranë.

Atëherë si binden ata se vdekja e të tjerëve nuk është një mënyrë për  të jetuar? Ka vetëm një rrugë: duke iu bindur Islamit. Dhe vetë Islami ka vetëm një rrugë: duke ndryshuar. Islami duhet të ketë kontroll mbi ndjenjat, mbi emocionet, mbi jetën dhe vdekjen. Kontrolli mbi ndërgjegjen është cilësia dhe arsyeja e çdo besimi. Një besim që nuk e ka këtë fuqi, ka vënë në dyshim ekzistencën e vet.

Prandaj them se kjo është e vetmja rrugë dhe nëse ende ka një rrugë ajo kalon nga vetë Islami. Evropa dhe bota mund dhe duhet ta ndihmojnë. Sot nuk është dita për ta luftuar Islamin, por sigurisht është dita për  ta ndihmuar.

Eshtë dita për ta ndihmuar të reformohet, të zbutet, të mësojë të bashkëjetojë. Të kthehet nga emocion në arsye. A duhet ta kemi këtë shpresë? Unë e kam – thotë Blushi.

Analisti Fatos Lubonja më herët ka shprehur shqetësimin se islami mund të kthehet në fenë e të varfërve në Shqipëri e Kosovë.

Fatos LubonjaFatos Lubonja

“Në Shqipëri dhe Kosovë, sipas mendimit tim, siguria dhe fjala e lirë  janë edhe sot të kërcënuara jo nga islamikët, por nga dy kasta në pushtet që kanë ndërtuar më shumë atë që mund të quhet shtet i mafies sesa shtet ku ka edhe mafie. Përpara këtij “ujku’ që kemi përpara syve, “gjurmët” se disa myslimanë që kanë shkuar të luftojnë në Siri e që mund të kthehen e të bëhen rrezik për Shqipërinë dhe Kosovën më duket i largët.

Madje do të thosha se nëpërmjet përhapjes së kësaj ideje, kjo elitë e korruptuar mund të kërkojë të legjitimojë vetveten duke na thënë: shtrëngoni radhët rreth nesh se përndryshe vijnë “ata”. Në Shqipëri po ndodhin përditë vrasje nga krimi i organizuar dhe shumë kriminelë nuk i prek kush pasi janë të lidhur me polici e politikanë. Vrasësit na kanë hyrë deri në Parlament. Vrasësit me pagesë janë bërë si të ishin punëtorë ndërtimi në të zezë. Ja ky është rreziku i vërtetë për momentin.

Në këtë situatë emigracioni i të rinjve të frustruar nga ky realitet në Europë apo edhe vajtja e disave në vende si Siria më së shumti janë valvula shkarkimi. Por mund të vijë një moment që këto valvula të mos mjaftojë. Prandaj ideja që kam shprehur edhe më herët është se një ditë islami mund të kthehet në fenë e të varfërve në Shqipëri e Kosovë dhe të instrumentalizohet e të kthehet në një lëvizje politike kundër kësaj elite të korruptuar properëndimore me fjalë po kriminale me vepra siç ka ndodhur së fundi në disa vende që përjetuan atë që u quajt “pranvera arabe” që fatkeqësisht nuk sollën demokraci, por më së shumti kaos.

Fakti që jemi në Europë nuk mjafton që të mos ndodhë kështu edhe tek ne. Veçanërisht po dështoi projekti europian dhe ne lihemi në dorë të këtyre kastave që më duket se përditë e më tepër thellohen në të keqen – shkruante Lubonja pas sulmit të parë terrorist mbi një redaksi gazete në Paris. / Dita /

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Trending Articles