Është krejt e natyrshme që pas pamjeve të tmerrshme të sulmeve në Paris, qytetarët e Kosovës, shtetit që ka një numër jo të vogël pjesëmarrësish në Siri dhe Irak, të pyesin se a ka rrezik për sulme terroriste të papritura edhe në Kosovë?
Pyetja është legjitime, duke marrë parasysh faktin që së paku 300 kosovarë i janë bashkuar “Shtetit Islamik” dhe degëve të tij në Lindje të Mesme. Rekrutimi i dhjetëra familjeve me gra e fëmijë dhe vajza të reja, që tashmë janë pjesë e ISIS-it, në forma të ndryshme nuk është ndalur.
Përmes Aeroportit të Prishtinës dhe kufirit të Maqedonisë, të rinjtë nga Kosova po rekrutohen, edhe pse në heshtje. S’ka disa javë që një vajzë 27-vjeçare nga rrethi i Gjilanit, e vetme ka marrë rrugën drejt ISIS-it. Për arsyet e rekrutimit të kosovarëve është diskutuar shumë herë dhe është dëshmuar se nuk është varfëria më shtytësja kryesore, por është ideologjia, ajo që është shtrirë tash sa vjet me intensitet të madh nëpër Kosovë.
Me komoditet, mbështetësit e ISIS-it që jetojnë brenda Kosovës, nuk e fshehën gëzimin për sulmet terroriste në Paris, madje shfrytëzuan rrjetet sociale që të përcjellin urime për ta… “Ju lumtë, o luana, allahu ju shpërbleftë”, kishte shkruar E.T.
Por ky fenomen nuk është lajm i ri për Kosovën, para disa vjetësh ende pa dalë ISIS-i, janë rrahur imamë e teologë që kanë dalë kundër ekstremizmit, janë kërcënuar gazetarë, janë prishur varreza, derisa haptazi nisën të bëjnë thirrje për të shkuar në Siri dhe Irak.
Pra elemente që të shqetësojnë për ndonjë veprim të mundshëm terrorist në Kosovë ka mjaft. Sepse mbështetësit e “Shtetit Islamik”, jo vetëm fizikë, por edhe ata virtualë, gjenden me bollëk në mesin tonë.
Shpëlarja e trurit nuk është bërë brenda natës. Me shumë strategji është vepruar, me vite të tëra, dhe sot të tillët që fshihen nën petkun e “Islamit të vërtetë” janë nëpër xhami, institucione, shkolla, universitete, FSK, Polici, media… Antiamerikanët dhe antiperëndimorët janë në rritje e në mesin e tyre gjithmonë ka potencial për të luftuar në “Tokën e Shamit”- Siri.
Por, sa janë gjasat që aktualisht dikush të vrasë pa mëshirë banorët e Kosovës me akte të ngjashme terroriste sikurse në Paris?
Tash për tash them se jo. Dhe, jo për shkak se këta tanët janë më pak të rrezikshëm se terroristët që kryen aktin në Paris, por për shkak se “Shteti Islamik” ka strategji dhe vizion. E pse u duhet të kryejnë akt terrorist atyre në Kosovë?
Në një vend i cili në nivel evropian është i katërti me pjesëmarrës në organizatën e tyre, rekrutim të vazhdueshëm, dhe me jo pak udhëheqës të “Shtetit Islamik” që janë nga Kosova, sikurse Lavdrim Muhaxheri.
Kë i duhet ta frikësojë ISIS-i në Kosovë, apo kujt i duhet t’i përçojë mesazh, kur çdo ditë e më pak flitet për ekstremizmin fetar, ku i gjithë diskursi po orientohet nga “mediat islamofobe”, ku organizatat që po merren me deradikalizëm po ia lënë fajin shoqërisë pse kanë ikur në Siri dhe Irak qindra kosovarë?
Derisa Kosova vazhdon të mbetet ambient perfekt për rekrutim dhe korridor i lehtë i depërtimit, përmes saj, në Evropë, s’ka pse dikush t’ia ketë frikën ISIS-it. “Shteti Islamik” në Kosovë është duke rekrutuar, jo fëmijë e nipa të prindërve emigrantë, sikurse në Evropë, por gjeneratë të re me prindër sekularë vendas, që fenë nuk e kanë pasur deri dje pjesë të identitetit.
Kosova nuk rrezikohet nga sulmet terroriste, pasi vendi ynë është tregim suksesi për organizata radikale islamike që kanë bindur një numër të konsiderueshëm të kosovarëve të luftojnë për interesa të ideologjive të tyre, rekrutim ky që nuk është ndalur dhe që në heshtje mbështetja e ideologjisë antiperëndimore është në shtrirje. Prishtina me kafenetë e saj përplot të rinj nuk është pasqyrë reale, mjafton të lëvizësh nëpër skaje për të parë realitetin.
Pse duhet ISIS-i të kryejë sulm në Kosovë e të irritojë mbështetësit e tyre, kur organizatat vendore e ndërkombëtare, që kryesisht me financa të Arabisë Saudite dhe Turqisë, kanë arritur të bindin kaq shumë kosovarë të heqin dorë nga prejardhja e tyre shqiptare, të ndryshojnë emrat nga ata shqiptarë në Abusara…?
Sheikët e Arabisë Saudite apo organizatat shtetërore e joqeveritare të Lindjes momentalisht janë të kënaqura me kosovarët që heqin dorë nga interesant properëndimore për të kërkuar shtrirjen e ideologjisë fetare të tyre, deri në ndryshimin e Kushtetutës nga laik në islamik.
Derisa Kosova vazhdon të jetë “poligon” i “Shtetit Islamik”, me gatishmëri të djemve e vajzave të reja t’u bashkëngjiten luftërave në Siri dhe Irak, s’ka, tash për tash, ISIS-i arsye të na sulmojë!