“Shqipëria vuen dhe bashkë me atë vuejmë edhe të gjithë ne!” Prof.Sami Repishti
Nga Keze Kozeta Zylo
Ta gëzojë Shkodra titullin e lartë që Bashkia e saj i dha në në këtë ndërrim motesh një prej figurave të ndritura shqiptare prof.Sami Repishtit, edhe pse me vonesë, prapë më mirë vonë se sa kurrë!…
Ndonëse prof.Sami Repishti nderohet me këtë titull, në rastin në fjalë mendoj se nderohet më shumë Shkodra dhe ja pse?
Shqiptari prej Shkodre, prof.Sami Repishti është njeriu me shpirt të lirë, është shqiptari që luftoi dhe e fitoi Lirinë vetëm në vendin më demokratik në botë në Amerikë…, ngase në vendin e tij Liria është ende e shqyer copash…
Si një anëtare aktive dhe publiciste në Diasporë kam pasur fatin ta takoj disa herë prof.Sami Repishtin, si në demonstrata, në mediume etj, por vetëm në 90-Vjetorin e ditëlindjes së tij verën që kaloi nuk mora dot pjesë pasi ishja në Mëmëdhe.
Në këto takime kam mësuar dhe dëgjuar nga afër idetë dhe gjithçka prej të rrëfyerit të tij brilant, prej të rrefyerit të tij të një burri të mençur dhe patriot. Portreti i tij është ADN-ja e burrave të mençur shqiptarë. Me një fjalë duke pasur këtë ndjesi kombëtare, detyrimisht i referohem thënieve dhe vepres së tij në shkrimet e mia, ndryshe ç’kuptim kanë çmimet dhënë nje soji njerëzish që vetem një Zot e di përse i marrin, në fakt çmimdhënësit e korruptuar e dinë dhe më mirë se Zoti, se përse jua kanë dhënë pllaken me gërma të “arta” këtij soji çmim marrësish…
Në krye të oxhakut duhet të vendosen njerëz me moral të lartë, njerëz që i kanë dhënë Kombit, njerëz që ia kanë zbardhur faqen Atdheut, jo njerëz që nuk u dihet në mënyrën më absolute veprimtaria e tyre, por shpesh ata kanë pasur një të kaluar të zezë që ia kanë shtuar blozën dhe më shumë oxhakut shqiptar. Ndonëse nuk pata ndonjë çudi për titullin e nderit që i dha Bashkia e Shkodrës z.Repishti, ngase portreti i tij para meje ngrihet madhërishem dhe ka merituar me kohë të jetë jo vetëm nderi i Shkodrës, por dhe “Nderi i Kombit”, sidoqoftë siç e përmenda më lart më mirë vonë se kurrë.
Njohja e vonë e punës dhe e veprës së prof.Repishtit nga Bashkia e Shkodrës të sjellë ndërmend thënien e Abraham Linkoln i cili ka thënë: “Don’t worry when you are not recognized, but strive to be worthy of recognition” që përkthehet “Mos u shqetësoni qe nuk ju kanë njohur, por përpiquni të jeni i denjë për njohje.”
Sot në këtë kasaphanë titujsh e nderesh më së shumti të pamoralshme siç ishte rasti i fundit skandaloz me dhunuesin dhe torturuesin Shyqyri Çoku të At Zef Pllumit që e burgosën për tërë jetën, do të ndodh që fëmijët tanë si dhe brezat pas nesh do ta kenë të pamundur të dallojnë shapin nga sheqeri siç thotë populli. Ndaj vlerësimi edhe pse me vonesë dhënë prof.Sami Repishtit i bën nder Shkodrës, sepse kasaphana e titujve të pamoralshëm është një thertore tjetër postkomuniste që i bëhet shqiptarëve nga truri me vrimë i çmimdhënësve krejtësisht të korruptuar. Qeveritarët e korruptuar, presidentët e majtë, të djathtë si dhe të partive as mish as peshk mjerisht po shkruajnë historinë, historinë çorbë që helmojnë miliona shqiptarë. Në se dikush nga bashkëvendasit e mi merr tituj, veçanërisht titullin e lartë “Nderi i Kombit” medoemos duhet të jetë një figurë e ndritur që shqiptarët t’i referohen atij, jo të mos e njohin fare, ose t’i nxjerrin gjuhën se për çfarë e merr? Mendoj, që të mos helmohet më tej historia kombëtare, sepse dhe çmimet janë një pjesë tejet e rëndësishme e saj, duhet të ngrihet një komision kombëtar duke përfshirë dhe Diasporën që lihet në “harresë”, por nuk harrohet për t’i vjelë paranë, duhet medoemos të bëhet me votë mbarë popullore për çdo figurë që vlerësohet, njëherazi të bëhet dhe rishikimi i çmimeve…
Të gjithë flasin se çmimet bëhen me miqësira, më së shumti të pamerituara, por mjerisht ndodh një diçka midis shqipfolësve veçanërisht brenda në Shqipëri dhe Kosovë që nuk e ngrenë zërin, nga se para tyre janë mijëra probleme akute dhe çmimet për momentin gëzohen dhe trumbetohen nga vetë personat që i marrin dhe i varin si portretin e Enverit dikur në mur… U ngrit zëri popullor kundër vetëm për një përdhunues, ish hetues te At Zef Pllumbit që t’i hiqej çmimi, por dhe zërat që u ngritën u dëgjuan vetëm kur foli dëshmitari okular i regjimit diktatorial profesor Repishti dhe atëhere iu desh kryministrit Rama të kërkonte falje, një falje që ishte formale, ngase nuk u pranua nga shumica per çfarë shkruante dhe nga as vetë prof.Repishti…
E kam fjalën se zëri i popullit nuk dëgjohet, zëri intelektual nuk dëgjohet, ndryshe Shkodra prof.Repishtin do ta kishte vlerësuar me kohë dhe brezat e ardhshëm do të kenë shanse të edukohen kthjellët se kush duhet ta meritojë çmimin.
Njerëzit që tundin çmimet e pamerituara si libri me titullin “Vrima” e autores Petro, është një turp i radhës për çmimdhënësit. Kjo “Vrimë” me krimba qe s’ka burrë nëne ta pastrojë…, pasi vihet në krah të korifenjëve të kulturës të cilët duhet medoemos të jenë referenca e Kombit, është një gropë që mbledh qelb dhe që urgjentisht duhet të pastrohet. Shpresoj se koha do ta bëjë seleksionimin e maskaradës së çmimeve, pasi ajo është gjykatësi më i drejtë. Por mjerisht në këtë rast kryeministri shqiptar Rama si dhe ministrja e kulturës Kumbaro ishin të egzaltuar kur i dorëzuan çmimin si libri më i mirë i vitit “Vrimës”, të cilëve edhe pse ju bë presion nga shumica e intelektualëve më në zë dhe dashamirësve të shumtë të letersise, përsëri kryeqeveritari dhe anëtarja e kabinetit të tij Kumbaro as qe donin t’ja dinin nga opionioni mbarëkombëtar çka na paralajmëron se duhet të vemë “kundragaz” kur të shkojmë të tërheqim libër pranë Bibliotekës Kombëtare, shtëpisë sonë të dytë, shtepisë me vuajtje…
Për të gjitha llojet e vuajtjeve prof.Repishti në parathënien që më ka shkruar rreth librit të botuar nën titullin “Reflektime shpirtërore” duke iu drejtuar lexuesve shkruan: “Shqipëria vuen dhe bashkë me atë vuejmë edhe të gjithë ne!”
Vuajtjet dhe dhimbjet Shqipërisë do t’ja heqim vetëm ne që jemi bij dhe bija të tij, vetëm ne nëse nuk i shkaktojmë dhimbje njeri-tjetrit, për rrjedhojë dhe Kombit tonë të përbashkët…
Vuajtjet Mëmëdheut tonë të shumëvuajtur do t’ja heqim kur të nderojmë bij si prof.Repishti që ia zbardhin faqen Shqipërisë, kur të nderojmë njerëz që të jenë burim frymëzimi që brezat e ardhshëm të përulen me respekt për veprën e tyre.
3 Janar, 2016
Staten Island, New York