Quantcast
Channel: Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Goran Radosavljeviç, komandanti serb i operacionit kundër Familjes Jashari, nuk është arrestuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte

$
0
0

Nga Kastrio Myftaraj

 

Asnjë rast nuk do të kishte qenë më i lehtë nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës për t’ u trajtuar se ai komandantit të operacionit kundër Jasharajve në Prekazin e Ulët, në 5-7 mars 1998, majorit Goran Radosavljeviç. Majori Goran Radosavljeviç ishte komandanti i njësitit prej 100 vetësh të Operativna Grupa (OPG) (Grupi Operativ-forcat speciale policore jugosllave, përkatësisht serbe) që rrethuan kompleksin e shtëpive të familjes Jashari në fshatin Prekaz i Ulët të Drenicës. Në largësi, OPG kishte mbështetjen e forcave të Ushtrisë Jugosllave me automjete të blinduara dhe armë artilerike.
Radosavljeviç pas përfundimit të Luftës së Kosovës nuk ka nguruar që të rrëfejë për operacionin, madje këtë e ka bërë në mediumet e mëdha ndërkombëtare, duke e përshkruar atë me sinqeritet si një masakër dhe duke e argumentuar veprimin e tij. Madje këtë rrëfim e ka bërë në një film dokumentar të BBC me titull “The Fall of Miloseviç”, të emetuar në vitin 2003. Radosavljeviç thotë në pjesën e parë të këtij dokumentari:
[Adem] Jashari dhe njerëzit e tij qenë të armatosur dhe të gatshëm për të vdekur. Ata po përdornin fëmijët dhe familjarët e tyre të moshuar si pengje. Ne iu bëmë thirrje me një megafon: “Lironi pengjet, dorëzoni armët!” Kur ne provuam t’ u afrohemi atyre, ne vumë në rrezik jetët tona. Për këtë arsye ne përdorëm artilerinë.
Nuk pati pra luftë mes të ngujuarve dhe policëve serbë. Policët serbë u tërhoqën në largësi dhe Ushtria nisi ta bombardojë kompleksin e shtëpive të Jasharajve me topa, më së shumti me hoëitzerë nga një largësi e sigurt, ku rrethuesit nuk arriheshin nga plumbat e armëve të lehta të të rrethuarve. Ishte në fakt një masakër. Gjatë dy ditëve sa zgjati rrethimi, nga rrethuesit u vranë vetëm dy policë. Të gjithë anëtarët e familjes Jashari dhe të tjerët, të cilët qenë ngujuar me ta, u vranë nga zjarri artilerik. Radosavljeviç në rrëfimin e tij të mësipërm e pohon se është bërë një masakër, ku janë vrarë gra dhe fëmijë, por për këtë fajin ia le Adem Jasharit, duke thënë se i përdori gratë dhe fëmijët e familjes së tij të gjerë si mburoja njerëzore.
Ndonëse jo pak kolegë të Goran Radosavljeviç, me grada më të larta dhe më të ulëta se të tijat, janë arrestuar dhe dënuar për krime lufte të kryera në Kosovë, Radosavljeviç nuk është hetuar dhe as arrestuar e dënuar nga Gjykata Ndërkombëetare për Krimet e Luftës, për ngjarjen e Prekazit të Ulët. Tërthorazi ky është një vendim dënimi pas vdekjes për Adem Jasharin, nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, si terrorist që i përdor familjarët si mburoja njerëzore.
Por Adem Jashari dhe familja e tij e gjerë janë në themel të kultit zyrtar të Luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Sipas ligjit të Kuvendit të Kosovës, nr. 04/L-054, dt. 8 dhjetor 2011 ajo që ndodhi në Prekazin e Ulët në 5-7 mars 1998 shpallet me ligj si “Epopeja e UÇK-së”. Sipas nenit 16, paragrafi i tretë të këtij ligji: “Për sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në Luftën e UÇK-së, për lirinë dhe çlirimin e vendit, Adem Jasharit i njihet statusi: Komandant legjendar i UÇK-së.”
Sipas nenit 16, paragrafi i katërt i të njëjtit ligj: “Krahas komandantit legjendar Adem Jashari, për sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës, familjes Jashari i njihet status i veçantë.”
Sipas nenit 16, paragrafi i pestë të të njëjtit ligj: “Epopeja e UÇK-së përkujtohet më datën 5, 6, 7 mars.”
Sipas Komisionit Qeveritar i Republikës së Kosovës për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit, dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Epopeja e UÇK-së (kështu quhet në ligj ajo që është Lufta apo më saktë Masakra e Prekazit të Ulët), pati 59 dëshmorë, nga të cilët 55 janë Jasharaj dhe katër të tjerë. Ky Komision Qeveritar i shpall dëshmorë të gjithë Jasharajt e vrarë, duke përfshirë gratë dhe fëmijët. Dëshmorët janë luftëtarë. Nëse të gjithë të ngujuarit kanë qenë dëshmorë, domethënë atëherë majori Radosavljeviç, sipas ligjeve ndërkombëtare të luftës, ka qenë në të drejtën e vet për t’ i asgjësuar ata me zjarr shfarosës artilerik. Por ne e dimë se jo të gjithë të rrethuarit kanë qenë luftëtarë, prandaj ata nuk mund të kenë qenë të gjithë dëshmorë. Shumë prej tyre u vranë si viktima të luftës.
Që të qëndrojë kulti zyrtar shqiptar i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i Epopesë së UÇK-së në Prekazin e Ulët, duhet që të ishte arrestuar dhe dënuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare majori Radosavljeviç, gjë që nuk ka ndodhur.
Në këtë rrethanë, janë shqiptarët e Kosovës ata që duhet të bëjnë një ndreqje në kultin e Adem Jasharit dhe të qëndresës së familjes së tij të gjerë. Dhe këtë gjë duhet ta bëjnë zyrtarisht, ashtu siç është krijuar kulti. Në Prekazin e Ulët në 5-7 mars 1998 nuk pati luftë por qëndresë kolektive e një familjeje të gjerë shqiptare, që mori parasysh koston e masakrës ndaj saj. Nëse kjo qëndresë pati një komandant, ai nuk ishte Adem Jashari, por babai i tij Shaban Jashari.
Familja Jashari ishte një familje tradicionale shqiptare në kuptimin më të plotë të fjalës. Familja jetonte në disa shtëpi që ndanin të njëjtin oborr të madh, si pjesë e një kompleksi banimi. I pari i familjes ishte Shaban Jashari, plaku 74 vjeçar, baba i Ademit dhe i Hamzës, i cili ishte bartësi i autoritetit suprem për anëtarët e familjes së gjerë. Fjala e Shaban Jasharit ishte ligj për ta. Ademi mund të ishte komandant në një formacion ushtarak, por brenda familjes ai ishte i katërti në radhë për të drejtën e fjalës pas Shabanit, babës, si dhe vëllezërve Rifatit dhe Hamzës. E shprehur në grada ushtarake, Ademi në familje ishte njëfarë “togeri” pas “gjeneral” Shabanit dhe dy vëllezërve më të mëdhenj. Vetëm Shaban Jashari, i pari i familjes mund të merrte vendimin për flijimin e familjes së tij të gjerë, duke qëndruar në shtëpi pas sulmit serb të 22 janarit 1998. Serbët e sulmuan familjen Jashari në këtë ditë që të shkaktonin largimin e saj nga shtëpia dhe Drenica dhe kështu të nxisnin një largim masiv të shqiptarëve nga Prekazi dhe Drenica. Pas kësaj dihej se serbët do të mësynin përsëri shumë shpejt.
Nuk dua të them aspak se Shaban Jashari iu imponoi grave dhe fëmijëve që të ngujoheshin në shtëpi gjatë luftës. Por në një familje tradicionale shqiptare, një vendim i tillë do të thoshte që edhe graria dhe fëmijët ndanin fatin e meshkujve luftëtarë të familjes. Nuk kishte nevojë që i pari i familjes të jepte urdhër. Askujt nuk i shkonte në mendje largimi.
Vetëm me autoritetin e të parit të familjes mund të merrej një vendim i tillë, për t’ i shndërruar tre shtëpitë e familjes së gjerë në një llogore të përbashkët lufte. Dhe vetëm falë autoritetit të të parit të familjes mund t’ i bindeshin këtij vendimi si një urdhri të gjithë anëtarët e familjes së gjerë, pa përjashtim, deri në fund. Adem Jashari nuk kishte autoritet për të marrë këtë vendim më tepër se djali i tij, Kushtrimi, që do të martirizohej në këtë luftë. Me këtë vendim, Shaban Jashari u bë strategu i Luftës së Kosovës, pa teprim edhe strategu i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër Serbisë. Vendimi i Shaban Jasharit është pa diskutim një nga vendimet më të rëndësishme strategjike në krejt historinë kombëtare shqiptare. Ajo që sot në Kosovë quhet zyrtarisht me ligj “Epopeja e UÇK-së”, dhe që meriton të quhet Qëndresa e Jasharajve, ishte në fakt Epopeja e Familjes tradicionale shqiptare Jashari, Epopeja e familjes së madhe tradicionale shqiptare. Kjo ishte një demonstrim i Qëndresës së familjes tradicionale shqiptare, e cila ka qenë qeliza e organizmit kombëtar gjatë Historisë. Një Qëndresë që e merr parasysh çmimin e masakrës.
Në të vërtetë Shaban Jashari nuk kishte nevojë të urdhëronte gratë dhe fëmijët që të qëndronin në shtëpi. Askujt nuk i shkonte në mendje që të largohej për të shpëtuar jetën. Ata që mbetën gjallë lëvizën vetëm kur nuk po dëgjohej më kënga e burrave, shenja se ata qenë gjallë dhe luftonin ende. Çdo gjeneral i madh në historinë e luftrave të botës do të kishte dashur që të kishte ushtarë aq të bindur sa Shaban Jashari, ushtarë që ta kuptonin strategjinë e tij, pa ua shpjeguar ai. Në Qëndresën e Prekazit, çdonjëri i ngujuar, që nga burrat që luftonin dhe deri te fëmijët, kryen një detyrë për përmbushjen e strategjisë së strategut të madh Shaban Jashari.
Manipulatorët enveristo-stalinistë të Drejtorisë Politikë të UÇK e tjetërsuan të vërtetën e Qëndresës së Jasharajve, duke e paraqitur si epope të UÇK-së ku priu komandanti legjendar Adem Jashari. Me këtë ata synonin të përvetësonin një pjesë të lavdisë së kësaj epopeje./Kastriot Myftaraj

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1727

Trending Articles