Shkodër, 10 mars – Shtëpia në Fishtë të Lezhës, në të cilën kishte jetuar autori i “Lahutës së Malcisë”, e kleriku Atë Gjergj Fishta, ani pse qysh prej vitit 1991 mbrohet nga shteti, rrezikon të shembet.
Nëpërmjet një letre të cilën ua ka drejtuar krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, Paulin Zefi, ish – përgjegjës i Kulturës Kombëtare në Lezhë ka kërkuar që të ndërhyhet menjëherë për restaurimin e objektit që sipas tij është në gjendje alarmante. Mediet shqiptare e kanë publikuar letrën të cilën Zefi ua ka dërguar presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.
Letrën e tij Zefi e nis duke shkruar se është i detyruar të kërkojë ndihmë për një çështje delikate që ka rëndësi shumë të veçantë me përmasa mbarëkombëtare. Ai shkruan se shtëpia ku ka jetuar Fishta ishte marrë nën mbrojtje nga shteti në maj të vitit 1991 dhe ishte shpallur monument kulture i kategorisë së dytë.
“Braktisja afatgjatë e kësaj shtëpie, mungesa e plotë e ndërhyrjeve restauruese për mirëmbajtjen e saj të vazhdueshme dhe shumë faktorë të tjerë, kanë shkaktuar amortizimin e saj të tejskajshëm. Prandaj ka disa vite që rrezikon shembjen e plotë, ku gjendja fizike e këtij objekti është jashtëzakonisht alarmante. Amortizimi i kësaj shtëpie ka ardhur si rezultat i braktisjes dhe i pamundësive financiare nga ana e pronarëve të saj, por sidomos nga neglizhenca totale e institucioneve shtetërore kompetente që nga viti 1991 e deri më sot”, ka shkruar ai.
Zefi ankohet edhe për eshtrat e Fishtës.
“Varri i Fishtës brenda Kishës Françeskane rënkon krejtësisht i zbrazur nga eshtrat e tij, të cilët ose janë hedhur në lumin Buna, ose prehen dhunshëm diku tek selvia nr.4. pas Kishës Mortore tek varrezat e Rrmajit”, shkruan ai.
Tutje, në letrën e tij, Zefi shkruan se beson në një ndërhyrje sa më emergjente për konsolidimin dhe restaurimin e plotë të objektit që siç thotë ai përfaqëson dëshminë e vetme materiale nga jeta e Atë Gjergj Fishtës. Tutje, ai thotë se 23 tetori i këtij viti përkon me 145-vjetorin e lindjes së Fishtës dhe sugjeron që kjo të jetë data e inaugurimit të përfundimit të plotë të procesit restaurues të këtij objekti.
Gjergj Fishta u lind në një familje fshatare në Fishtë të Lezhës më 22 tetor të vitit 1871 nga babai Ndok Simoni dhe e ëma Prene Lazër Kaçi, të cilët ishin të paarsimuar për shkak të pushtimeve osmane, kur shkollimi ndalohej. E vetmja dëshmi që tregon se aty ka jetuar Fishta është pllakati në të cilën shkruhet: “Këtu ka banuar Atë Gjergj Fishta 1871-1940”.